Qeveria e re duhet ta përshpejtojë agjendën e integrimeve

0

 

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme duhet të sjellin një qeveri që do ta përshpejtojë agjendën e integrimeve evropiane.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se institucionet e reja duhet të fokusohen në proceset euroatlantike, në dialogun me Serbinë si dhe në forcimin e shtetit ligjor duke e shtuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Shpresoj të kemi zgjedhje të lira, me pjesëmarrje të madhe të masës elektorale dhe që nga ky proces të dalin sa më parë (brenda afateve ligjore) një parlament dhe qeveri e përgjegjshme që të përqendrohet në proceset e rëndësishme shtetndërtuese, si në procesin e liberalizimit të vizave, të integrimit evropian dhe euroatlantik, në procesin e vazhdimit të dialogut dhe, mbi të gjitha, në agjendën e brendshme të zhvillimit ekonomik dhe forcimin e shtetit ligjor, duke e shtuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, ka deklaruar Gashi.

Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme mund të ndikojnë në ngadalësimin e proceseve integruese. “Sigurisht se zgjedhjet krijojnë një periudhë kur dinamika sa iu takon proceseve ndërkombëtare të rëndësishme për Kosovën për një kohë ngadalësohet. Pra, agjenda evropiane për disa muaj i subordinohet prioritetit që ka procesi zgjedhor. Edhe pas zgjedhjeve deri te konstituimi i institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet mund të marrë një kohë. Të shpresojmë, jo shumë të gjatë”, është shprehur Gashi.

Ai ka theksuar se agjenda e dialogut do të riaktualizohet menjëherë pas zgjedhjeve edhe nëse në krye të qeverisë do të jenë ata që e kanë kundërshtuar dialogun duke përdorur mjete të paligjshme për ta penguar këtë proces.

“Për këtë ka një insistim dhe angazhim të partnerëve tanë kryesorë ndërkombëtarë si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), po ashtu edhe nga vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian (BE). Thirrja e fundit e Quintit tregon se ky proces duhet të dinamizohet menjëherë pas konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet. Kjo do të ndodhë kushdo që do ta udhëheqë qeverinë e ardhshme, madje edhe nëse në krye të ekzekutivit do të jenë partitë që për një kohë të gjatë janë deklaruar kundër dialogut dhe kanë përdorur mjete të paligjshme për ta penguar atë”, ka thënë Gashi.

Në këtë intervistë Gashi ka folur edhe për zgjedhjet në Parlamentin Evropian, për të cilat ka thënë se, megjithatë, nuk e rrezikuan procesin e zgjerimit të BE-së. Sa i takon Kosovës, ai ka thënë se nuk mund të themi se kemi pozicion më të favorshëm.

Sipas Gashit, Kosova mund ta fitojë statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian nëse tregohet shumë më serioze në rrugën drejt reformave evropiane. “Mund të themi se forcimi i partive euroskeptike ishte më shumë simbolik sesa determinues. Sigurisht, sa i takon Kosovës, nuk mund të themi se kemi pozicion më të favorshëm. Maksimumi çka mund të presim është që Kosova ta fitojë statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, natyrisht, nëse tregohet shumë më serioze në rrugën drejt reformave evropiane”, ka theksuar Gashi.

“Epoka e re”: Profesor, të enjten pritet të shpërndahet Kuvendi dhe më pas të ketë zgjedhje të parakohshme. Mbajtja e këtyre zgjedhjeve, a do të ketë ndikim në agjendën evropiane të Kosovës?
Gashi: Sigurisht se zgjedhjet krijojnë një periudhë kur dinamika sa iu takon proceseve ndërkombëtare të rëndësishme për Kosovën për një kohë ngadalësohet. Pra, agjenda evropiane për disa muaj i subordinohet prioritetit që ka procesi zgjedhor. Edhe pas zgjedhjeve deri te konstituimi i institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet mund të marrë kohë. Të shpresojmë, jo shumë të gjatë.

“Epoka e re”: Mendoni se zgjedhjet do të ndikojnë negativisht në integrimin evropian, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, liberalizimin e vizave dhe procesin e dialogut?
Gashi: Nuk mund të thuhet se zgjedhjet ndikojnë keq në proceset e përmendura, por se për një periudhë ndikojnë në ngadalësimin e këtyre proceseve, kjo logjikisht do të ndodhë.

“Epoka e re”: Prisni se pas këtyre zgjedhjeve dhe krijimit të institucioneve të reja të avancohet qasja e Kosovës ndaj këtyre proceseve?
Gashi: Unë shpresoj të kemi zgjedhje të lira, me pjesëmarrje të madhe të masës elektorale dhe nga ky proces të dalin sa më parë (brenda afateve ligjore) një parlament dhe qeveri e përgjegjshme, e cila do të përqendrohet në proceset e rëndësishme shtetndërtuese, si në procesin e liberalizimit të vizave, në procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik, në procesin e vazhdimit të dialogut dhe, mbi të gjitha, në agjendën e brendshme të zhvillimit ekonomik dhe forcimit të shtetit ligjor, duke e shtuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Epoka e re”: Pavarësisht se Kosova është në prag të procesit zgjedhor, Quinti ka bërë thirrje për rifillimin e dialogut me Serbinë. Si e shihni ecurinë e këtij procesi?
Gashi: Agjenda e dialogut do të riaktualizohet menjëherë pas zgjedhjeve. Për këtë ka insistim dhe angazhim të partnerëve tanë kryesorë ndërkombëtarë si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), po ashtu edhe nga vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian (BE). Thirrja e fundit e Quintit tregon se ky proces duhet të dinamizohet menjëherë pas konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet. Kjo mendoj do të ndodhë pavarësisht kush do ta udhëheqë qeverinë e ardhshme, madje edhe nëse në krye të ekzekutivit do të jenë partitë që për një kohë të gjatë janë deklaruar kundër dialogut dhe kanë përdorur mjete të paligjshme për ta penguar atë.

“Epoka e re”: Z. Gashi, si e vlerësoni përbërjen e re në Parlamentin Evropian dhe a prisni të ketë ndryshim të pikëpamjes karshi Kosovës?
Gashi: Zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian, sado që lëkundën pozicionet dominuese të partive tradicionale, ato nuk e rrezikuan procesin e zgjerimit të BE-së. Mund të themi se forcimi i partive euroskeptike ishte me shumë simbolik sesa determinues. Sigurisht sa i takon Kosovës nuk mund të themi se kemi pozicion më të favorshëm. Maksimumi çka mund të presim është që Kosova ta fitojë statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, natyrisht nëse tregohet shumë më serioze në rrugën e saj drejt reformave evropiane.

 Shqipe HETEMI

PËRGJIGJU