Misioni i shkollës shqipe në Nju-Jork

0

 

Shkolla shqipe “Alba Life” e vlerësuar si Ambasador i Kombit nga shteti shqiptar është një mundësi e shkëlqyer për mësimin e gjuhës shqipe, për fëmijët shqiptarë në Nju Jork

Shkolla Shqipe “Alba Life” në 11 vjetët e shkuara e ka ushtruar aktivitetin e saj në Staten Island, Brooklyn, Manhatan e Queens dhe këtë vit parashikon të fillojë aktivitetin edhe në Bronx, në Nju-Jork.

Misioni i shkollës shqipe “Alba Life” e themeluar nga Qemal Zylo është zhvillimi dhe ruajtja e identitetit kombëtar përmes mësimit të gjuhës, kulturës së origjinës si dhe njohja me trashëgiminë dhe thesarin kulturor, natyror dhe historik kombëtar.

Programet e shkollës janë mbështetur në programet e përgatitura nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit të Kosovës.

Themeluesi i kësaj shkolle, Qemal Zylo në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, duke folur për historikun e kësaj shkolle, shprehet se, shkolla shqipe “Alba Life”, Ambasador i Kombit që operon në disa lagje të Nju-Jorkut është bërë një shkollë serioze dhe me një përkushtim tejet profesional.

“Ikja nga Mëmëdheu ynë të ngarkon me shumë detyra ndonëse të padukshme, por vjen një ditë dhe ato ndihen më së shumti në zemrat e fëmijëve, sidomos kur ata i ke në Shkollën Shqipe që ke hapur me mund dhe punë patriotike. Ndoshta duke qenë katër veta në familje me kontribute në arsim dhe edukim midis dy kontinenteve duket sikur jemi një Këshill Pedagogjik që bëri të mundur që ta vazhdonim misionin tonë dhe këtu në NY”, tregon ai, përcjell albinfo.ch.

“Që në vogëli jam rritur me dashurinë për shkollën dhe punën, filluar në Arrëz të Madhe të Tepelenës, një vend mjaft arsimdashës, ku ndihem mjaft krenar për bazat e para dhe të forta që mora nga mësuesit e mi të nderuar. Ato baza u reflektuan në të gjitha hapat që kam hedhur në Tiranë deri si shef i katedrës së Transportit në Akademinë e Forcave Tokësore në Tiranë, ku veç përgjegjësisë që kisha për të udhëhequr të gjithë pedagogët e katedrës, kam dhënë mësim si profesor i lëndëve inxhinierike që studioheshin në Akademi, në të cilën punuam për përmirësimin e programeve të Akademisë në përputhje me programet e akademive të tjera ushtarake botërore”, shton Zylo.

Zylo nënvizon se, “hapja e TV “Alba Life” para 12 vjetësh i parapriu gjithashtu dhe Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island. Programi i mësimit udhëhiqet nga dr. Valbona Zylo Watkins, profesore në universitet dhe i shërben profesionalisht mësimit të Gjuhës Shqipe”.

“Shkolla shqipe Alba Life në Staten Island u bë vatra e hapjes së disa shkollave të tjera në qytete të ndryshme të Nju Jorkut si në Brooklyn, Manhattan, Queens dhe së shpejti do të jemi me një shkolle të re në Bronx në bashkëpunim të ngushtë me patriotët Arta Xhaferri dhe Blerim Gjocaj. Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi madhërisht në “Symphony Space” 10-Vjetorin e themelimit të saj, ku gjithë bashkatdhetarët u mblodhën si një buqetë me lule së bashku me artistë të mirënjohur nga të gjitha trojet ku flitet shqip. Në këtë 10-Vjetor nderoi nga Shqipëria me pjesëmarrjen e tij artisti i shquar i humorit Agron Llakaj “Mjeshtër i Madh”. Nxënësit e Shkollës Shqipe, nxënësit artistë, artistët, aktorët dhe instrumentistë të shquar e bënë madhështore festën”.

Zylo gjithashtu tregon se, “Shkolla Shqipe “Alba Life” është vlerësuar me proklamatë nga senatori Martin Golden, nga anëtari i këshillit të bashkisë së Nju-Jorkut Mark Gjonaj, nga Legjislatori i Westchester County, z.David Tubiolo, dhe së fundi nga shteti shqiptar si “Ambasador i Kombit” si dhe nga shumë organizata shqiptare në Amerikë. Në proklamatë nga Senatori veteran Martin Golden midis të tjerash thuhet se: “Në këtë Rezolutë legjislative përgëzojmë TV dhe Shkollën Shqipe “Alba Life”. Është ndjenja e trupit legjislativ të Senatit të shtetit të Nju-Jorkut të nderojë organizatat që mbajnë gjallë traditat, kulturën, gjuhën etj. Familja Zylo emigroi në vitin 1997 nga Shqipëria gjatë luftës civile në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njohu shumë fëmijë emigrantësh që nuk flisnin shqip, prandaj i vunë si qëllim vetes të hapnin Shkollat Shqipe. TV dhe Shkolla Shqipe “Alba Life” janë në librin e Senatit të shtetit të Nju-Jorkut”.

Me pak fjalë, thekson Zylo, “ka qenë ëndrra e familjes sime të hapja shkollë shqipe, që fëmijët shqiptarë lindur dhe rritur në dhera të huaja të mos e harronin gjuhën e nënës, të kishin mundësi të njihnin rrënjët e tyre nga kanë ardhur, sepse siç thotë rilindasi i shquar Sami Frashëri, “viktimat e gjuhës janë më të shumta se ato të shpatës”.

Në lidhje me integrimin e nxënësve në këto shkolla, Zylo shprehet se, “në këto shkolla veç mësimit të Gjuhës Shqipe, nxënësit mësojnë për historinë, kulturën e traditat shqiptare.  Ndonëse shumë prej tyre vijnë të ndrojtur në ditët e para të shkollës, apo dikush dhe duke qarë, shpejt ata miqësohen me njëri-tjetrin dhe mezi presin që të vijë dita e mësimit shqip. Bota e fëmijëve është e mrekullueshme, është botë që ringjall shpresat, është botë që e çon Kombin veç në progres”.

Themeluesi i kësaj shkolle gjithashtu nënvizon se, “Shkolla Shqipe “Alba Life” organizon shumë aktivitete në bazë shkolle e më gjerë. Aktivitet kulmore janë festa si: e Flamurit, festat e fundvitit, Dita e Mësuesit, Festivali i Shkollave Shqipe në Diasporë si dhe mbyllja e fundvitit. Më duhet të përmend me respekt dhe dashuri punën e gjithë mësueseve për vitin e fundit, pasi është e pamundur t’i përmend ndër vite se kam ndroje se mos harroj ndonjë. Mësueset si Adelina Lacaj, dr. Valbona Zylo Watkins, Entela Muda, Vlera Sela Thaqi, Brunilda Pula, Denisa Sinani, Gela Bulku, Ardita Miloti Vadahi, Klaus Sharra, kanë punuar me mjaft përkushtim dhe po vazhdojnë të rrisin cilësinë e mësimdhënies duke ju përshtatur nivelit dhe grupmoshave të nxënësve pasi s’duhet të harrojmë se Shkolla Shqipe në Diasporë nuk është njëlloj me shkollat në Shqipëri, pasi në Mëmëdhe flitet qysh në bark të nënës Shqip”.

Zylo thekson gjithashtu se këto vite është rritur vazhdimisht numri i nxënësve, kjo sipas tij, vjen “falë besimit që kanë krijuar prindërit për mësimdhënësit dhe seriozitetin e punës së tyre. Frekuentimi ka variuar nga 70 deri 110 nxënës, por sigurisht frekuentimi lidhet edhe me vështirësitë që kanë prindërit, pasi shumë prej tyre punojnë me orar të zgjatur ose nuk kombinon. Ka dhe prindër që mendojnë se duke mësuar shqipen do të konfuzohen me anglishten dhe për këtë stepen për t’i sjellë”.

“Ne si staf jemi munduar vazhdimisht t’i sensibilizojmë dhe të punojmë fort se ardhja e fëmijëve të tyre në shkollë, përveç që u mëson Gjuhën Shqipe, por dhe i lidh me njëri-tjetrin, bëhen shokë dhe miq të pandashëm në jetë. Dyert e Shkollave Shqipe “Alba Life” kanë qenë e do të jenë gjithmonë të hapura dhe vazhdimisht në shërbim të Kombit”, shprehet ai.

Zylo tregon edhe për vështirësitë që ka hasur në ngritjen e kësaj shkolle, e cila shprehet ai “që në krijimin e saj ka pasur vështirësi të jashtëzakonshme, sidomos në sigurimin e librave të Abetares dhe Gjuhës Shqipe”.

“Gjithmonë furnizimin me libra për dhjetë vjet rresht e kemi realizuar vetë, duke i porositur në Shqipëri dhe paguar postën për t’i shpërndarë në New York. Më lejoni të ndalem vetëm në një aspekt të shpërndarjes së librave, p.sh. Kozeta Zylo bashkëshortja ime si shkrimtare ka publikuar shtatë libra, por deri tani nuk kemi sjellë librat e saj në New York, por kemi sjellë abetaret, pasi valixhet mbusheshin vetëm me abetare duke paguar dhe mbingarkesën që merrnim. Sjellja e librave nga shteti amë ka qenë vështirësia dhe mundimi ynë, edhe pse më duhet të përmend që ka pasur ndihma modeste më së shumti nga Kosova nëpërmjet konsullatave të tyre në New York. Po kështu dhe nga Shqipëria po nëpërmjet konsullatave”, shprehet Zylo.

“Në koncertin e fundvitit për vitin akademik shkollor 2018-2019 nderoi me pjesëmarrjen e saj Konsullja e Kosovës znj. Teuta Sahatqija, e cila dhuroi libra për nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life”, tha Zylo.

Ai thekson se, “në dy vitet e fundit ka një përmirësim të dukshëm nga shteti amë, p.sh. znj. Najada Sojli, Konsulle e Shqipërisë në New York, e cila ka dy vjet radhazi që nderon me ardhjen e saj në shkollë, ka sjellë abetare dhe libra shqip. Znj. Sojli informoi se tashmë është krijuar qendra e botimeve të Diasporës e cila është njësia përgjegjëse e botimit dhe shpërndarjes së teksteve mësimore të miratuara si dhe literaturë plotësuese të cilat do t’i shërbejnë mësimdhënies dhe ruajtjes së identitetit tonë kombëtar. Në këtë kuadër ajo  kërkoi hartimin e një liste për tekstet shkollore të cilat do të përdoren për vitin akademik shkollor 2019-të-2020-të”.

Duke folur për synimet në të ardhmen për TV “Alba Life” dhe Shkollat Shqipe, Zylo tha se, “nëpërmjet TV “Alba Life” ne synojmë të dokumentohet jo vetëm historia e bashkatdhetarëve tanë këtu në emigracion si: duke intervistuar midis të tjerëve, figura të njohura në veprimtarinë shoqërore me komunitetin si dhe të atyre në fushën e shkencës, kulturës e të biznesit, por dhe të dokumentohet historia e Shkollës Shqipe që ka në ekran gjithë nxënësit, prindërit dhe mësuesit e Shkollës Shqipe”.

“TV “Alba Life” dhe shkollat Shqipe janë të lidhura pazgjidhshmërisht dhe i shërbejnë vetëm Kombit. Ne çdo vit mundohemi të rrisim numrin e nxënësve dhe të klasave. Gjithashtu nëpërmjet shkrimeve, reportazheve shpresojmë të sensibilizojmë mbarë opinionin shqiptar se mësimi i Gjuhës Shqipe tek fëmijët shqiptarë jo vetëm që i integron ata me plot kulturë në botën perëndimore, por dhe ju rrit koeficientin e inteligjencës si përdorim të dygjuhëshit. Përdorimi i dygjuhëshit ose disa gjuhëve tek nxënësit, në bazë të statistikave publikuar në gazetën “New York Times” i bën fëmijët më shumë inteligjentë, më konfidentë dhe rrit dukshëm shkallën e njohjes së historisë në botë”, shprehet Zylo.

PËRGJIGJU