Injoranca e politikanëve dhe tragjikomedia shqiptare

0
Blerim Gashani

Barsoletat dhe tallja me pushtetarët nuk është gjë e re. Ato kanë ekzistuar prejse ekziston shteti dhe pushteti. Njerëzit e mençur gjithmonë kanë ditur t’i parodizojnë pushtetarët, si dhe ata që u kanë prirë popullit dhe vendit. Portretizimi në këto tregime gjithmonë ka qenë mjeshtëror dhe me nuanca të theksuara të kritikës kundër tyre.

Edhe ne jemi tallur me pushtetarët dhe kemi pasë barsoleta të shumta për ta. I kemi thënë e stërthënë ato dhe kemi qeshur me ta e me to. Kemi thënë se pushtetarët tanë nuk dinë të flasin si duhet, të sillen si duhet e as të bëjnë diç si duhet. Jemi shqyer se qeshuri kur kemi thënë se shumica e pushtetarëve tanë nuk dinë si ta shkruajnë një fjali – një fjali të vetme – e nganjëherë as emrin Kosovë apo Prishtinë; se ata nuk e dinë tabelën e shumëzimit; se nuk dinë as dhjetë kryeqytete të shteteve të botës…

Jemi shkulur së qeshuri kur ata nuk e dëgjojnë pyetjen fare, sepse e kanë përgjigjen e gatshme, pa marrë parasysh a përshtatet me kontekstin a jo. Jemi tallur dhe kemi bërë shaka në adresë të tyre, sa të duash! Por, gjithmonë e kemi bërë këtë me një ndjenjë të hollë dashamirësie. Gjithmonë pasi kemi qeshur me një “cilësi” të tyre, e kemi mbajtur një rezervë brenda duke e bindur veten se kjo ishte vetëm shaka dhe se ata s’munden dhe nuk guxojnë të jenë të tillë. Jo krejt të tillë. Dhe vazhdonim të qeshnim…

Ajo çfarë po ndodhë ende, edhe në këtë fushatë parazgjedhore, duket se do të na humb qeshjen (dhe buzëqeshjen) për një kohë. Shumë kandidatë tanimë nuk e meritojnë as talljen. Dhe, a dini pse? Sepse kjo nuk ka më gjë për të qeshur. Situata është për ta qarë, për të klithë, për të nxjerrë flokët nga dëshpërimi. Kjo është për të vrapuar në rrugë, i dëshpëruar, lakuriq… E, jo për të bërë shaka…

Befasisht, kemi parë se shumë nga barsoletat që na kanë bërë të qeshim, nuk kanë qenë shaka. Tash po shihet qartë se shumë kandidatë nuk dinë as të flasin as të përqendrohen në temë. Flasin në mjegull dhe kanë diskurs që do të ishte i denjë për teatër (amator) të kohëve të shkuara. Folklorizmat janë ende pjesë e premtimeve politike. Buzëqeshja po na ngrihet në buzë, sepse kemi filluar të besojmë se ata nuk e dinë as tabelën e shumëzimit e as të shkruajnë një fjali për të cilën ne kemi qeshur aq herë. Paradoksalisht, ata nuk janë më objekt humori…

Papritmas jemi ngrirë nga dëshpërimi.

Papritmas, kemi parë se nuk ka fantashkencë më të madhe sesa realiteti jonë.

Si përfunduam kështu?!

Si përfunduam këtu?

PËRGJIGJU