Beteja kryesore është për Prishtinën

0

 

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se beteja kryesore e partive politike më 17 tetor do të jetë për Prishtinën. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka deklaruar se kryeqyteti do të tregojë nëse koalicioni qeverisës do të mund ta mbajë elektoratin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që e kishte marrë më 14 shkurt. Maliqi ka treguar se favorit për ta fituar kryeqytetin është kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Arben Vitia. Por, nëse do të ketë balotazh, sipas Maliqit, Vitia mund ta humbet kryeqytetin. Maliqi ka vlerësuar se subjekti i parë në këto zgjedhje, në nivel vendi, do të dalë LV-ja, ndërsa për vend të dytë do të garojnë LDK-ja dhe PDK-ja

Muhamet KOCI

“Epoka e re”: Z. Maliqi, jemi në pjesën e dytë të fushatës zgjedhore. Cili është vlerësimi juaj për fushatën e deritanishme?

Maliqi: Për dallim nga fushatat e mëhershme, kjo është disi më pak e hetueshme sepse nuk ka tubime masive dhe pothuajse e gjithë fushata po zhvillohet në rrjetet sociale. Më aktiv më duken kandidatët për kryetar të Prishtinës, sidomos Uran Ismaili i PDK-së dhe Daut Haradinaj i AAK-së, së fundi motorët i ka ndezur edhe Përparim Rama. Kjo përshtypje ndoshta vjen edhe nga mbulimi që i bëhet kësaj fushate në mediat qendrore, por edhe për shkak se Prishtina është testi kryesor për raportin aktual të forcave, e që pritet se do të janë ndryshe nga ato të shkurtit kur triumfoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje. Këtë herë nuk kam qenë fare i përfshirë në bërjen e sondazheve, kështu që nuk mund t’i mbështes parashikimet e mia në indikatoret e matjeve të disponimit të elektoratit. Por, besoj se koalicioni fitues i shkurtit, që bashkoi Albin Kurtin me Vjosa Osmanin, edhe pse ende vazhdon si i tillë, nuk do ta ketë më të njëjtën fuqi ofertuese për përmbysjen e “regjimit të vjetër” sepse, si duket, ka mjaft fërkime në mes të LV-së dhe grupit “Guxo” që ende nuk është profilizuar si subjekt i qartë politik.

“Epoka e re”: A po dallon diçka kjo fushatë nga fushatat e mëhershme të zgjedhjeve lokale?

Maliqi: Ka edhe s’ka dallime në pritjet nga fushata. Koalicioni LV me “Guxo” nuk është aq aktiv dhe agresiv si më herët. Mbase është i bindur se ka fitore të sigurt në shumë komuna. Sigurisht se ky koalicion, atje ku ka arritur të kandidojë njerëz të besueshëm, është favorit për marrjen e shumicës së votave, kjo edhe për faktin se te partitë opozitare nuk ka ndryshime më rrënjësore dhe premtuese. Por, nëse Kurti dhe Osmani llogaritin në valën e inercionit përmbysës, mund të mashtrohen keq sepse që nga mesi i dekadës së kaluar elektorati në zgjedhjet lokale ka treguar preferenca të ndryshme nga ato të zgjedhjeve në nivel të Republikës. Kjo sidomos vlen për komunat në të cilat asnjë kandidat nuk fiton shumicën në raundin e parë. Balotazhet gati rregullisht i kanë dhënë më shumë gjasa për fitore jo të parit me vota, por të dytit. Rasti klasik ka qenë ai kur Isa Mustafa pati bërë fushatën me duar në xhepa, e ka siguruar fitoren bindëse në raundin e parë, por në balotazh Shpend Ahmeti e përmbysi rezultatin. Edhe tash mund të ndodhë ky fenomen.

 “Epoka e re”: Në cilat komuna pritni se do të ketë garë më interesante?

Maliqi: Më interesante janë gjithsesi komunat e qyteteve të mëdha, Prishtina, Prizreni dhe Mitrovica, ku ka pritje se mund të ndalet trendi tetëvjeçar i depërtimit të Lëvizjes Vetëvendosjes. Prishtina është test i testeve, sepse duhet të shihet se a mund t’i mbajë koalicioni Kurti – Osmani gjithë ato vota të LDK-së që në zgjedhjet e përgjithshme shkaktuan termet, që Kurti e quante referendum. Po kështu do të jenë shumë të rëndësishme edhe zgjedhjet në Gjakovë, Ferizaj, Pejë dhe Gjilan, ku LV-ja dhe “Guxo” nuk janë favorite.

“Epoka e re”: Tri subjektet e mëdha politike një fokus të veçantë e kanë në Prishtinë. Si e shihni betejën për kryeqytetin?

Maliqi: E thashë më herët se beteja kryesore është për Prishtinën. Më parë është konsideruar se kandidati i LV-së, Arben Vitia, është favorit i pakontestueshëm, dhe ai ende mund të sigurojë fitoren në raundin e parë, por nëse dështon që t’i ketë mbi 50 për qind, mund ta shembin atë në raundin e dytë. Uran Ismaili dhe Përparim Rama nuk kanë asnjë shans në raundin e parë, por beteja mes tyre për të kaluar në raundin e dytë do të jetë përcaktuese. Uran Ismaili, më sa mund të kuptohet nga reagimet e njerëzve, ka më shumë simpati për mënyrën e fushatës dhe kontaktet e vazhdueshme me elektoratin, por nëse ai kalon për balotazh, mund të mos ketë vota të mjaftueshme shtesë për ta fituar postin e kryetarit të Prishtinës. Kurse nëse Rama hyn për balotazh, ka më shumë gjasa që t’i hakmerret LV-së për humbjen poshtëruese të LDK-së kur kandidat ishte Isa Mustafa.

 “Epoka e re”: A mund të na jepni një parashikim tuajin për 17 tetorin. Cila nga partitë e mëdha mendoni se do të marrë rezultat më të mirë në këto zgjedhje?

Maliqi: Nuk mund të parashikoj qartë, por në përgjithësi LV dhe “Guxo” do të jenë subjekti i parë, me përqindje më të ulët se në shkurt, gjithsesi jo më ato të “referendumit”, por rreth 45 për qind në total, me tendencën të uljes edhe më poshtë, por jo nën 40 për qind. Për vendin e dytë do të garojnë LDK-ja dhe PDK-ja. Këtë herë më shumë gjasë i jap LDK-së që të dalë e dyta, sepse nëse LV-ja  dhe “Guxo” do të kenë rënie, ajo do të shkaktohet nga zhgënjimi i mbi 100 mijë ish-votuesve të LDK-së që i dhanë fitoren plebishitare binomit Kurti – Osmani. Ato vota me gjasë do të kthehen te LDK-ja me udhëheqje të përtëritur dhe të përgjegjshme të Lumir Abdixhikut.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here