Dardanët u rikthehen stërvitjeve, flasin Domgjoni e Idrizi

0

 

Kombëtarja e Kosovës i është rikthyer stërvitjeve pas miqësores ndaj Jordanisë. Në seancën e sotme kanë stërvitur vetëm futbollistët që ishin më pak të angazhuar dhe ata që nuk luajtën në ndeshjen e mbrëmshme, teksa pjesa tjetër kanë bërë rigjenerim në hotel.

Edhe pse ishte vetëm një miqësore, humbja nga Jordania ka bërë që zhgënjimi tek lojtarët të jetë evident dhe tashmë në ditët e mbetura deri tek dueli me Greqinë duhet të punohet në ngritjen e morali i ekipit, në mënyrë që në Athinë të kemi paraqitje sa më të mirë.

E përzgjedhësi Gliha ka punuar pikërisht në këtë drejtim gjatë stërvitjes së sotme, teksa edhe futbollistët Toni Domgjoni dhe Blendi Idrizi u shprehën optimistë se në ndeshjen e radhës ekipi do të tregojë një fytyrë tjetër.

“Stërvitja ka qenë e mirë dhe intensive. Ndeshja e mbrëmshme nuk ka qenë aq e mirë, por ka qenë thjesht një lojë miqësore. Këtë lojë duhet ta harrojmë sa më shpejt dhe të përqendrohemi te dueli me grekët. Normalisht jemi të gjithë paksa nervozë pas asaj humbje, por duhet të koncentrohemi për lojën e ardhshme dhe të japim maksimumin. Kam dëshirë të debutoj për Kosovën në ndeshje zyrtare dhe besoj se të gjithë kundër Greqisë kemi me u mundu ta bëjmë më të mirën për Dardanët dhe për krejt Kosovën”, ka thënë Toni Domgjoni.

Zhgënjimin nga humbja e mbrëmshme e ka vënë në pah edhe Blendi Idrizi, i cili po ashtu beson në paraqitje shumë më pozitive ndaj Greqisë.

“Dita e djeshme ka qenë e vështirë, sepse kemi qenë paksa të demoralizuar por besoj që krejt jemi profesionistë dhe e kemi analizuar secili për veti atë paraqitje dhe prej sot duhet të shohim përpara drejt ndeshjes së radhës. Duhet ta analizojmë të gjithë atë ndeshje si staf dhe të shohim se çfarë ka shkuar gabim. Kundër Greqisë duhet të tregojmë se loja e djeshme ka ndodh njëherë dhe nuk duhet të ndodhë sërish. Duhet të kallxojmë një fytyrë ndryshe. Atje shkojmë për të dhënë maksimumin dhe për të arritur fitore”, është shprehur Blendi Idrizi.

Kosova nesër do ta zhvillojë stërvitjen e radhës e kompletuar, derisa të shtunën në mëngjes do të udhëtojë në Athinë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here