Duka-Xhakës: E ke përmbushur misionin, nuk kemi zëvendësues për ty

0

 

Taulant Xhaka ka njoftuar se i ka dhënë fund karrierës së tij në Kombëtaren e Shqipërisë dhe këtë e ka bërë për shkak të lëndimeve që kishte në kohët e fundit si dhe shumë arsyeve personale.

Ai ndër të tjera bëri të ditur se ishte shumë krenar që e barti fanellën e kombëtares dhe premtoi se do të jetë në mbështetje të lojtarëve kuqezi në vazhdim.

Këtë njoftim e ka pritur me shumë emocione edhe i pari i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka i cili e ka falënderuar Xhakën për kontributin e tij në kombëtare.

Duka e ka quajtur “mision të përmbushur” angazhimin e Xhakës dhe ka thënë se kombëtarja momentalisht nuk ka një lojtar adekuat për ta zëvendësuar atë.

Kjo është letra e plotë e presidentit të FSHF-së Armand Duka drejtuar Taulant Xhakës:

I dashur Taulant!

E lexova letrën tënde dhe më beso që më emocionoi shumë. Gjatë leximit më kalonte në mendje historia jonë në Kombëtare. Një histori lufte, përpjekjesh, triumfi dhe vuatjesh. Një histori njerëzore në të gjitha dimensionet e saj.

Ti ke qenë një motorr për ekipin, një luftëtar i vërtetë, një djalë i përkryer (në fakt, do vazhdosh të jesh por jo më si lojtar). Për fat të keq, për këtë rol, nuk e kemi një zëvendësues. Por shpresoj shumë që performanca jote gjatë këtyre viteve të shërbejë si model dhe si shembull për të gjithë futbollistët e të gjitha niveleve të ekipeve kombëtare.

Edukata familjare, ajo profesionale dhe ato që përmenda më lart, u bënë bashkë, u “kapën përdore” dhe prodhuan këtë personalitet dhe njeri, këtë luftëtar dhe profesionist, që do të më mungojë.

Në këtë botë miku im, ajo që mbetet është kontributi për të arritur suksesin dhe emri i mirë. Ti këto i ke arritur. Prandaj, kontributi yt, mund të quhet “mision i përmbushur”.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, se çdo rrugëtim, sado i gjatë të jetë, e ka një fund. Për këtë kontribut të gjatë dhe tepër të vlerësuar, ti miku im, ke hyrë në librin e historisë dhe hollin e famës së futbollit shqiptar. Si dashamirës futbolli, si bashkëudhëtar i suksesit tënd dhe si President i FSHF, jam shumë i lumtur ta konfirmoj këtë.

I dashur Taulant! Mua personalisht do të më kesh gjithmonë një mik të përjetshëm. Besnik dhe krenar për miqësinë tonë.

Të perqafoj.

Armand Duka

President i FSHF

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here