Epoka e marrëzisë!

0

 

Shkruan: Ahmet Jashari

Umberto Eco me kohë ka paralajmëruar rrezikun e shoqërisë moderne nga tufat e injorantëve që kanë pushtuar rrjetet sociale, duke shpërfaqur marrëzinë deri në skajshmëri.

Marrëzia fatkeqësisht nuk ka mbetur vetëm aty, ka daluar prej kutisë së “djallit” dhe gradualisht në shoqëri të pakonsoliduara sikur e Kosovës, ka krijuar revolucionin e të marrëve. Dhe tashmë ky trend i çmendur ka përfshirë gjithçka pa përjashtim, duke ç’rrënjosur standardet normale të shoqërive njerëzore të etbaluara me shekuj.

Vrullit të çmendurisë shihen duke ju pri me flamuj partiakë deshtakët që duan të marrin pozita në shtetin e krijuar me sakrifica. Ata i gjen në garë për kryetar komune, në lista për ansamble komunale, në lista për deputetë e madje ka ndodhur edhe pretendentë për kryetar shteti. Për çudi ata sigurojnë edhe vota në shoqërinë kosovare. Ata kanë shumë miq (sikur vetë), kanë edhe para të pista, kanë gjithçka po dijes dhe njerëzisë.

Subjektet politike ju krijojnë hapësirë të tillëve, meqë duan vota. E vota në shoqërinë kosovare më së paku marrin njerëzit e arsimuar e të kulturuar. Ashtu sikur “peshku që kalbet nga koka”, edhe shoqëria kosovare ka të njëjtin fat. Elita kosovare nuk ekziston. Intelektualët janë shitur, janë tjetërsuar… Ata shihen duke vrapuar pas injorantëve të veshur me petk politik, duke thurur lavde për ta, pa as më të voglën dilemë morale dhe njerëzore.

Në pikë të ditës dhe dritës së diellit i thonë të keqës e mirë. Ata nuk kanë guxim intelektual ta thonë të vërtetën, duke i hapur rrugë degradimit shoqëror. Në mungesë të frontit kundër injorancës, ushtarët e marrëzisë marshojnë të trimëruar, duke i krijuar epokën e tyre – epokën e marrëzisë. Të jesh normal në epokën e marrësisë është e frikshme, ndërsa të jesh injorant është e leverdishme.

“Kush është normal, nuk është normal në këtë vend”, patë thënë para një kohe një mik imi gazetar.

Në ballë të oxhakut më nuk sheh njerëz të urtë, profesorë të respektuar, intelektualë të çmuar. Vendin e tyre e kanë zënë do faqezinj që dikur rrinin në kafe të rakisë ku ofrohej prostitucion, rreth oborreve të shkollave duke ngacmuar nxënësit, te dyert e tregjeve duke vjedhur qytetarët etj. Një shthurje morale, intelektuale dhe njerëzore ka prekur vlerat e shoqërisë sonë në themel, duke e vënë në pikëpyetje serioze të ardhmen. Si rrjedhojë të gjithë duan të ikin nga ky vend.

Dikur Kosova ishte ëndrra e madhe, tash u shndërrua në zhgënjimin e madh. Dikur ishte kauza e lirisë që e mbante të bashkuar shoqërinë kosovare, të cilës i prinin njerëzit më të ditur, më të respektuar dhe më patriotë.

Gjithçka ishtë në rregull derisa erdh liria dhe u bë shteti! Çfarë paradoksi! Dalngadalë gjithçka filloi të tjetërsohej. Të gjithë shkuan për t’ua lënë vendin të marrëve që nuk kanë të ndalur. Kjo është rruga e sigurt drejt falimentimit shtetëror e njerëzor.

Pse është aq e vështirë për të thënë puna e mbarë pa mua!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here