Ilir Kulla: Loja e dyfishtë e Serbisë po mban peng të ardhmen evropiane të rajonit

0

 

Eksperti i sigurisë në Shqipëri, Ilir Kulla, thotë se vendi i tij nuk është në rrezik nga ndikimet ruse. Këtë, në një intervistë për The Geopost, e arsyeton me faktin se Shqipëria nuk ka asnjë lidhje kulturore me Rusinë ndërkaq shqiptarët kanë një sfond etno-kulturor tërësisht të ndryshëm nga rusët.

“Mund t’ju them se Shqipëria është vendi me i pamundshëm që Ruset te ndjehen si në shtëpinë e tyre. Nuk kemi ksenofobi, thjesht mospërputhshmëri”, thotë Kulla. Rusët, sipas tij, janë popull dhe vend i madh, me histori të gjatë dhe një vend sa 2 kontinente, por shton se janë “shume larg kulturës dhe traditave tona”.

Iniciativën e “Open Balkan” Kulla e quan të kotë, kurse takimin e fundit në Tiranë si “ndejë e këndshme në prag të Krishtlindjeve”.
Kulla vlerëson se Perëndimi gabon kur i lë vendet tjera të Ballkanit Perëndimor në pritje për shkak të lojës së dyfishtë të Serbisë.

“Çështja është që Evropa ka ndaluar gati tërësisht zgjerimin në Ballkan dhe vendet e Ballkanit kanë ngelur pa perspektivë. Ka një lloj dëshire të Perëndimit të mos humbasë Serbinë në drejtim të Rusisë, por ndërkohe ka marre peng të ardhmen Evropiane të vendeve te tjera. Shembull është Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova me vizat”, thotë Kulla në intervistën dhënë The Geopost.

The Geopost: A mendoni se është duke u shtuar ndikimi i huaj në rajon, veçanërisht ai rus?

Kulla: Ndikimi rus dhe ndikimet e huaja në Ballkan janë diçka historike. Ballkani ka qenë gjithnjë një tokë ndërmjet perandorive. Për pasojë ndikimet kanë qenë të pashmangshme. Nga Perandoria Romake, te Xhingis Khani e deri te Perandoria Osmane…janë pjesë e historisë sonë të përbashkët.

The Geopost: Rusia përdor media të ndryshme në vendet e rajonit, – sidomos në Serbi, Mal te Zi dhe në disa media serbe në Kosovë, – për të përhapur propagandën e tyre, kryesisht me lajme të rreme e dezinformuese. Si është situata në Shqipëri në këtë aspekt? A ka media të tilla?

Kulla: Ka informacion ka dhe deznformacion, siç ka dhe propagandë. Kjo është normale. E rëndësishme që të ruhet profesionalizmi, por kjo nuk është gjithnjë e mundshme. Ndaj duhet durim dhe qetësi. Jetojmë në pluralizëm, jo në diktaturë.

The Geopost: Në tetor të këtij viti në Shqipëri humbën jetën katër rusë, gjatë pushimit në një hotel në Qerret.  Vdekja e tyre është ende e mistershme, ndërkohe që mediat kanë raportuar së fundmi se organet kompetente po vazhdojnë hetimet. Çka mund t’na thoni ju për këtë rast?

Kulla: Mund t’ju them qe Qerreti i Kavajës është një vend i bukur në bregdet, një fshat që banohet nga shqiptarët e Kosovës që nga viti 1930. Si i tillë ka pushues çdo vit në shumë muaj nga te gjitha vendet, përfshirë dhe Rusinë. Rasti do te zbardhet, ka një hetim zyrtar dhe te ndjerët do te kenë të vërtetën e tyre juridike. Të tjerat do t’ia lëmë kohës. Vlen t’i ngushëllojmë të afërmit e tyre e t’i themi se Shqipëria është një vend qe i mirëpret të gjithë mysafirët, pavarësisht fatkeqësisë në fjalë.

The Geopost: Duket së verën e këtij viti janë shtuar kërkesat për blerje të pronave nga rusët në Shqipëri.  Pse mendoni se po ndodh kjo?

Kulla: Le te shpresojmë qe ka vërtetë turistë dhe te huaj, përfshirë dhe ruse e serbe qe duan te blejnë apartamente dhe pasuri te patundshme, sepse kjo zhvillon ekonominë. Por kam dyshimet e mia se po ndodh, besoj, qe jemi përballë një hiperbolizimi të problemit. Ne fund fare, ne në Shqipëri kemi probleme të mëdha me mbivendosjen e pronave dhe titujve te pronësisë. Nuk do jetë kaq e lehte të zgjidhet kjo as për te huajt. Nëse blejnë apartamente ose vila ato ngelen ne Shqipëri, nuk transferohen ne Rusi. Mund t’ju them se Shqipëria është vendi me i pamundshëm që Ruset te ndjehen si në shtëpinë e tyre. Nuk kemi ksenofobi, thjesht mospërputhshmëri. Rusët janë popull dhe vend i madh, me histori të gjatë dhe një vend sa 2 kontinente, por shume larg kulturës dhe traditave tona.

The Geopost: Ka paralajmërime se një invazion i Rusisë në Ukrainë dhe aneksimi i rajoneve të banuara me shumicë ruse do të nxiste luftë edhe në Ballkan. Duke tërhequr një paralele me paralajmërimet e Dodikut për tërheqje të Republika Serpskes nga federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, nga njëra anë dhe armatimin e hovshëm të Serbisë, nga ana tjetër, a mendoni se një skenar i tillë është i mundshëm?

Kulla: Mendoj se duhet ta ndajmë problemin rus në Ukrainë me problemin e Ballkanit. Më lejoni ta shpjegoj: ne Ukraine rreth 30% e popullatës është ruse dhe ato janë vende fqinje. Këto probleme ata i kane pasur me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe do t’i kenë edhe për shumë e shumë vite të tjera. Janë probleme të komplikuara ekonomike, politike dhe energjetike. Unë mendoj se palët duhet t’i kthehen marrëveshjes se Minskut dhe duhet te ndalet vullneti i Rusisë për të vendosur armë atomike ne Bjellorusi, sikundër Ukraina duhet te mjaftohet me një anëtarësim të mundshëm në BE. Zgjerimi i NATO-s në Ukrainë nuk me duket i mundshëm dhe realist, te paktën qe pas samitit te Rigës kur u anëtarësuan vendet Baltike. Ndërsa në Ballkan çështja është ndryshe. Ne nuk kemi popullsi ruse në Ballkan dhe ato popullsi sllave që janë nuk është se kanë ndonjë dashuri te veçantë apo interes të shkojnë nga Rusia dhe Azia. Ato dëshirojnë që të shkojnë në Evropë. Çështja është që Evropa ka ndaluar gati tërësisht zgjerimin në Ballkan dhe vendet e Ballkanit kanë ngelur pa perspektivë. Ka një lloj dëshire të Perëndimit të mos humbasë Serbinë në drejtim të Rusisë, por ndërkohe ka marre peng të ardhmen Evropiane të vendeve te tjera. Shembull është Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova me vizat. Ndaj bllokimi i procesit te zgjerimit ne Ballkan rrezikon të gjitha vendet e tjera, të cilat në kushtet e krizës të stërzgjatur ekonomike t’i hedhin sytë diku tjetër. Për këtë fajin nuk duhet ta kërkojmë as në Moskë dhe as në Ankara, por ne Bruksel dhe Uashington, ku dëshira për të mos humbur Serbinë ka verbuar vendimarrësit për të ardhmen e popujve te tjerë. Nëse BE do e kishte anëtarësuar Bosnjën dhe Hercegovinën ndoshta sot s’do kishim një Dodik që sheh një të ardhme tjetër, apo në Mal te Zi do kishim një realitet tjetër.

The Geopost: Rusia ka një prani të vogël ekonomike në rajon në krahasim me BE-në. Si arrin të ketë aq ndikim? Si e shpjegoni këtë asimetri?

Kulla: Ndikimi rus ekonomik është cilësor, jo sasior. Ata janë prodhuesit kryesorë të drithërave dhe të energjisë. Si pasojë ndikimi i tyre është i rëndësishëm, por ndërkohë investimet nga BE dhe Perëndimi janë inekzistente. Çdo t’u themi ndërtuesve në Shqipëri, mos ia shisni ndërtimet ruseve? Apo operatoreve turistikë, mos merrni turistë nga Lindja dhe Rusia, apo nga Serbia? Është e palogjikshme. Dështimi i Procesit të Berlinit dhe futja tek rruga pa krye e “Open Balkan” e bën Ballkanin Perëndimor të pashpresë dhe zhvillimi ekonomik është çelësi kryesor për këtë gjë. Qeveritë tona nuk ndalin dot emigracionin e të rinjve, korrupsionin dhe burokracia e Brukselit ofron zero perspektivë. Situata është komplekse dhe mos harrojmë ndikimin e besimit fetar, i cili është transnacional.

The Geopost: Në disa vende të rajonit ka politikanë dhe forca politike që gëzojnë përkrahje të hapur nga Rusia. A ka të tillë në Shqipëri?

Kulla: Kësaj pyetje do t’i përgjigjem me një barsoletë që qarkullon në Shqipëri prej vitesh. Ne kohën e prishjes me Kinën, Enver Hoxha dërgoi drejtuesit e Partisë së Punës te sqaronin bazën për arsyet e prishjes me Kinën. Kur drejtuesi vajti në bazë, populli e priti në hare duke i thënë: t’i thoni partisë se ne e kemi pasur problem ta duam Kinën, po mos ta duam e kemi kollaj. Kjo barsoletë vlen për përgjigjen e pyetjes – a ka politikanë pro-rus në Shqipëri. Nuk ka sepse Rusia nuk ka ndikim fare ne kulturën dhe mentalitetin tonë. Por, kjo nuk duhet te ndikojë që BE të katandisë në bisht të dëshirës së Serbisë, e cila nuk dihet nëse do te shkoje drejt Lindjes apo Perëndimit.

The Geopost: Po takimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiq me presidentin rus Vladimir Putin në prag të zgjedhjeve ne Serbi, si e keni parë?

Kulla: Është e drejtë e Vuçiqit dhe e Putinit në takohen para dhe pas zgjedhjeve. Problemi është se kjo dopio-lojë e Serbisë po mban peng te ardhmen evropiane të rajonit.

The Geopost: Presidenti serb Aleksandër Vuçiq  dhe ai maqedonas Zoran Zaev ishin në Tiranë në takimin e radhës në kuadër të nismës rajonale „Ballkani i Hapur“. Cili është opinioni juaj për këtë nismë në përgjithësi dhe për takimin në Tiranë në veçanti?

Kulla: Takimi në Tiranë mu duk si një ndejë e këndshme për Krishtlindje, sidomos te peshku në Elbasan. Për te tjerat, “Open Balkan” është një projekt i kotë dhe i pavlerë. Ne mungesën e zgjerimit të BE është një përpjekje e parimit “lëviz diçka qe te mos ngelen gjërat ne vend”. Ne fakt, ato po kthehen mbrapsht, ashtu siç është çdo projekt apo dëshire e Serbisë për të krijuar një zonë ekonomike qe t’i ngjajë Jugosllavisë, si zgjatim apo si influence. Megjithatë, te shohim nëse do jenë të aftë të zbatojnë ndonjë nga ato gjëra që shkruajnë. Deri tani kemi parë deklarata, dreka e darka dhe pak turizëm.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here