Tuesday, January 18, 2022
Ballina Opinione Nga lufta me Milosheviqin, Kosova në dialog me rrenën serbe të modelit...

Nga lufta me Milosheviqin, Kosova në dialog me rrenën serbe të modelit të Çosiqit

0

Nga Nazmi Elezi

“Rrejmë për ta mashtruar veten, për ta ngushëlluar tjetrin; rrejmë nga keqardhja, rrejmë nga turpi, për t’u trimëruar, për ta fshehur mjerimin tonë … Rrena është mënyrë e patriotizmit serb dhe dëshmi e inteligjencës sonë të lindur. Rrejmë në mënyrë krijuese, imagjinative dhe kreative … Rrena është interesi shtetëror serb … Rrena është në vetë qenësinë e serbëve … Në këtë vend çdo rrenë në fund bëhet e vërtetë … Serbët shumë herë në histori i ka shpëtuar rrena …”, kështu ka thënë – ai që njihet si baba i kombit serb – akademiku Dobrica Çosiq në librin e tij “Deobe” (1961).

Porosia e babës së serbëve vazhdon të mbetet udhërrëfyes, ndërsa rrena si arma më e fuqishme e politikës shtetërore serbe.

Prandaj, Serbia e sotme – pasuese e politikës së Milosheviqit – po bën film për Masakrën e Reçakut.

Filmi duhej bërë, sepse, ashtu siç deshi ta manipulojë botën Kasapi i Ballkanit, Milosheviqi – shkaktari i të gjitha luftërave dhe tragjedive në ish-Jugosllavi në vitet 1990 – njësoj sipas porosive të Çosiqit pasuesit e tij duhej bërë diçka për ta mashtruar botën.

Regjimi i Vuçiqit në Serbi, përveç që ndjek politikën e Milosheviqit, imiton edhe politikën e periudhës së Jugosllavisë titiste me kinematografi propagandistike. Tridhjetë vjet pas Luftës së Dytë Botërore, në vitet ’70 të shekullit të kaluar, më kujtohet kur si nxënës të shkollës së mesme na dërgonin në kinema për të parë filmat “Sutjeska”, “Neretva” … Natyrisht, partizanët e Titos fitonin të gjitha betejat me gjermanët, të cilët digjnin fshatra dhe ekzekutonin civilë.

Tash, 23 vjet pas luftës së fundit në Kosovë, publikut serb, mundësisht edhe atij ndërkombëtar, duhet servuar Masakra e Reçakut si një gënjeshtër e madhe e shefit të dikurshëm të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili më 15 janar 1999 – duke u tmerruar nga ajo që pa në Reçak, ekzekutimin e 45 shqiptarëve civilë – e cilësoi këtë masakër si krim kundër njerëzimit.

Filmi serb për Reçakun duhej bërë, sepse “e vërteta” serbe për Reçakun kaherë është paralajmëruar nga kreu i shtetit, Vuçiqi me aparatin e tij shtetëror. Është vetë presidenti serb ai që e ka mohuar Masakrën e Reçakut, duke thënë se gjithçka është fabrikuar nga ambasadori Walker. Trillim të Walkerit e kishte cilësuar edhe ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Ivan Todosijeviq, i cili për këtë deklaratë u dënua nga Gjykata e Prishtinës me dy vjet burgim.

E, flamurin e gënjeshtrave, kohët e fundit në Serbi – nga Aleksandri i madh (Vuçiq) – e ka marr Aleksandri i vogël (Vulin). Është ministri serb i Mbrojtjes, Vulin, ai që vazhdimisht e fyen popullin shqiptar të Kosovës duke iu referuar me termin pezhorativ “shiptari”.

Ndërsa, i njëjti Vulin që bëri film në shtator, duke mobilizuar Ushtrinë serbe me tanke pranë kufirit me Kosovën, të premten ka vizituar një lokacion afër Nishit ku po bëhen xhirimet e një seriali për ngjarjet në fshatin Reçak, të janarit të vitit 1999.

Ai tregoi se filmi po bëhet që t’i “tregojnë” botës se NATO e bombardoi Serbinë “pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun”.

“Në atë kohë, nuk ishim as të aftë e as të zgjuar për t’i treguar gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte kjo. Detyra e kësaj gjenerate është t’i tregojë gjithë botës se na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë gënjeshtrave, kurse gjaku i fëmijëve tanë është mbi ata që e shpikën këtë gënjeshtër. Pretendimi për masakrën është një fyerje e madhe për mbarë njerëzimin”, tha Aleksandri i vogël.

Pse jo.

Kanë kaluar 23 vjet nga Masakra e Reçakut dhe nga masakrat tjera të tmerrshme të kryera në Kosovë nga forcat kriminale ushtarake, policore e paramilitare serbe. Ne nuk i harruam. Por, nuk bëmë seriale as dokumentarë për t’i dokumentuar këto krime. Kur ti nuk bën asgjë për ta treguar të vërtetën, atëherë krijon terren për tjetrin që ta plasojë gënjeshtrën si të vërtetë.

***

Dëshmia ime:

Masakra e Reçakut e 15 janarit 1999 vazhdon të jetë e freskët edhe në mbamendjen e autorit të këtij teksti.

Mëngjesin e asaj dite, pasi në redaksi kishte arritur informata për masakër, ekipi i gazetës “Kosova Sot”, unë, Ferkiu (fotoreporteri) dhe Luli (vozitësi) u nisëm menjëherë në Reçak. Aty kemi mbërri 2-3 orë para misionit verifikues të OSBE-së.

Shefi i misionit të OSBE-së, ambasadori Wiliam Wallker, pas krejt asaj që pa atë ditë, e tha të vërtetën para botës, se ajo që kishte ndodhur në orët e hershme të 15 janarit, në Reçak, ku u vranë 45 civilë, banorë të fshatit, ishte masakër dhe krim kundër njerëzimit.

Përveç grumbullit të fshatarëve të ekzekutuar në Kodrën e Bebushit, atë ditë në fshat pamë trupin pa kokë të një burri. Pamë viktimën tjetër të mbytur me sëpatë, brenda shtëpisë së tij. Pamë trupat e dy vëllezërve të vrarë në malin rrëzë shtëpisë së tyre, në përpjekje për të ikur nga forcat serbe. Pamë gjithçka. I tmerruar nga ajo që po shihnim, Ferkiu nuk mund të ndalte jo vetëm lotët, por edhe të vjellat.

Krejt ajo që pamë mëngjesin e atij 15 janari të ftohtë, ishte më shumë se një krim. Ishte vazhdimësi e krimeve dhe gjenocidit serb gjatë luftës së Bosnjës.

***

Masakra e Reçakut, 23 vjet më vonë, do të kthehet në regjinë e Aleksandrit të madh e të vogël, që nuk guxon t’i shmanget primeve të Çosiqit: “Rrejmë në mënyrë krijuese, imagjinative dhe kreative … Rrena është interesi shtetëror serb … Rrena është në vetë qenësinë e serbëve … Në këtë vend çdo rrenë në fund bëhet e vërtetë”.

Z. Borrell, z. Lajçak, z. Escobar dhe Sir Stuart Peach, kjo është Serbia me rrenat e së cilës do të përballeni; Serbia me të cilën Kosova duhet të dialogojë.

Përgatituni të siguroni një dhomë pak më të errët në selinë e BE-së në Bruksel, që nesër nga projektori i Vuçiqit të shihni filmin për Reçakun, sipas skenarit të Çosiqit: “Serbët shumë herë në histori i ka shpëtuar rrena”!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here