Pa bashkimin e trojeve shqiptare, Shqipëria s’është e lirë

0

 

Intervistë me veprimtarin dhe atdhetarin Rafi Halilin

Rudina Zeqiri

 

Halili, ju jeni një nga njerëzit, që kanë kaluar një gjysmë shekulli në organizimin e rezistencës për realizimin e aspiratave tona kombëtare. Çfarë mund të na thoni për kontekstin shoqëror e historik të asaj periudhe, që ndikoi në vendimin tuaj?

Rafi Halili: Për t’i përmbledhur sa më shkurt gjërat për të cilat do të flas në përgjigjet e mia, në fillim po theksoj se pushteti komunist jugosllav vazhdimisht propagandonte, se në këtë vend lulëzonte “barazia e plotë mes kombeve dhe kombësive të saj”. Unë isha edukuar me një frymë krejt tjetër dhe për edukimin tim do të veçoja Bajram Veliun (burri i hallës sime), një njeri shumë i mençur dhe atdhetar i madh, që mbante plisin e bardhë në kokë si shenjë krenarie për identitetin e tij kombëtar. Po përmend vetëm një gjë: ai gëzonte një reputacion të madh si burrë i vendosur dhe askush nuk guxonte t’i thoshte ta hiqte plisin, sepse plisi ishte simbol i identitetit kombëtar.

​Oda e tij ishte shndërruar në një shkollë, ku ata që kishin fatin ta frekuentonin, patën mundësi të dëgjonin rrëfimet historike, ndryshe nga mësimet që u imponoheshin nxënësve të shkollave, ku Partia Komuniste e Jugosllavisë kishte kontroll të plotë. Unë shkoja shpesh në odën e tij, sepse kënaqesha duke dëgjuar të vërtetën për ngjarjet që zbukuroheshin nga pushteti. Në veçanti, tregonte për peripeci të ndryshme të Luftës së Dytë Botërore, pjesëmarrës i së cilës kishte qenë edhe vetë. Dëgjoja për vuajtjet e shqiptarëve, varfërinë e madhe, dhunën që pushteti jugosllav ushtronte kundër tyre dhe padrejtësitë që i bëheshin popullit tonë. Ishte i lidhur shpirtërisht me luftën që kishin bërë partizanët në Shqipëri dhe e donte shumë Enver Hoxhën.

 

 

​Qëndrimet politike për Jugosllavinë si okupatore të territoreve tona dhe Titon si satrap, dhe dashurinë për Republikën Popullore të Shqipërisë e fitova në odën e Bajram Veliut.

​Për të forcuar mendimet politike që kisha fituar në rrethin familjar, ndikim të madh ka pasur edhe Beqir Berisha, profesori im në gjimnazin e Tetovës. Nga ai mund të dëgjoja të njëjtat qëndrime politike për padrejtësitë që u ishin bërë dhe vazhdonin t’u bëheshin shqiptarëve.

Kur qëndrimet politike që merr në gjirin familjar përputhen me ato që i dëgjon edhe nga ndonjë prej kuadrit pedagogjik në shkollë, atëherë lirisht mund të themi se krijohet një bindje, që as topi nuk e luan.

​I edukuar me këtë frymë, unë, që në rininë time të hershme, vëreja pabarazinë e madhe që u ishte imponuar shqiptarëve në Jugosllavi. Prandaj revoltën time mundohesha ta shprehja në formën që më dukej më e përshtatshme në përputhje me bindjet politike dhe ideologjike që më ishin krijuar. Nuk shihja rrugë tjetër për daljen nga kjo situatë, pos bashkimit kombëtar të territoreve që kishin mbetur të copëtuara nga vendi amë: Shqipëria.

​Si përfundim të kësaj hyrjeje të shkurtër, po theksoj se, edhe pse Bajram Veliu ka ndërruar jetë në vitin 1996, ai është përjetësisht në mendjen time dhe kujtoj me krenari mësimet e para nga shkolla atdhetare që kam marrë. Ndërsa me profesorin Beqir Berishën kemi vazhduar kontaktet dhe shkëmbimin e mendimeve që nga ajo kohë e deri më sot.

 

Në bazë të asaj që thatë më lart, çështjet ishin të qarta sa i përket përcaktimit tuaj politik. Ju e konsideronit statusin e shqiptarëve në Jugosllavi si status të popullit të pushtuar?

 

Rafi Halili: Keni plotësisht të drejtë! Populli shqiptar, që kishte mbetur nën Jugosllavi, ishte ndarë padrejtësisht nga trungu i vet kombëtar që në kohën kur të ashtuquajturat konferenca paqësore ndërkombëtare, ua falën territoret tona fqinjëve grabitqarë. Një shpresë e madhe kishte lindur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos pas Konferencës së Bujanit, ku u përcaktua se pas çlirimit, populli shqiptar do të vendosë vetë për fatin e tij, që të bashkohet me Shqipërinë dhe se e drejta e kombeve për vetëvendosje do të respektohej nga Partia Komuniste Jugosllave. Fatkeqësisht, të gjitha premtimet kishin pasur për qëllim të mashtronin shqiptarët që të mobilizoheshin në luftë kundër nazistëve dhe fashistëve. Pas përfundimit të luftës, kontributi i shqiptarëve u shkel tërësisht, siç u shkel edhe vullneti i tyre politik. Partia Komuniste Jugosllave doli të ishte më e zezë se fashistët dhe nazistë, sepse kundër shqiptarëve kreu më shumë krime se fashistët dhe nazistët së bashku.

Në çfarë forme e shprehët ju atë revoltë për pozitën e shqiptarëve në Jugosllavi?

Rafi Halili: Në moshën 17-vjeçare, në vitin 1967, si nxënës i vitit të dytë në gjimnazin e Tetovës, bashkë me shokët e mi vendosëm flamurin kombëtar shqiptar në qendër të qytetit të Tetovës. Këtë veprim e realizova me Gafur Lokun, veprimtar i madh i çështjes kombëtare, i cili së bashku me djalin e tij u ekzekutuan nga forcat serbe gjatë luftës së Kosovës.

U arrestuam dhe përjetuam të gjitha torturat, që pushteti i atëhershëm aplikonte ndaj kundërshtarëve politikë.

Ngjarje tjetër që do të përmend nga ajo e kaluar para gjysmë shekulli, ka të bëjë me shpërthimin e demonstratave të vitit 1968. Këto demonstrata ishin akti më i lartë që kishte ndodhur deri në atë kohë, sepse përmes këtyre protestave, populli shqiptar dëshmonte se për fatin e tij politik, që të mbeteshin nën Jugosllavi, kishin vendosur të tjerët. Me një fjalë, çështja shqiptare në Jugosllavi shtrohej për t’u zgjidhur.

Edhe në këto demonstrata isha shumë aktiv dhe për shkak të aktivitetit tim u arrestova përsëri.

Arrestimi i dytë u shoqërua edhe me masa disiplinore në shkollë: u përjashtova nga gjimnazi.

Megjithatë, ky veprim më detyroi të ndiqja shkollimin në Kamenicë, ku mbarova vitin e tretë të shkollës së mesme. Vitin e katërt u ktheva në Tetovë, për arsye se rrethanat kishin ndryshuar pak në krahasim me ato para vitit 1968.

Pas përfundimit të shkollës së mesme u regjistruat në Universitetin e Prishtinës. Në atë kohë, së bashku me studentë të tjerë formuat organizatën “Kushtrimi i Lirisë”. Cili ishte qëllimi politik i “Kushtrimit të Lirisë”?

Rafi Halili: Qëllimi i vetëm politik i organizimit tonë ishte bashkimi me vendin amë, me Shqipërinë, i të gjitha territoreve shqiptare, që konferencat ndërkombëtare ua kishin falur fqinjëve. Sidomos të territoreve që i kishin rindarë mes tyre Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.

​Edhe emri i organizatës kishte domethënien e vet: ishte apel që të mobilizoheshim dhe të ngriheshim si një trup i vetëm për çlirim dhe bashkim kombëtar: ishte “Kushtrim për liri”!

​Për të arritur qëllimin politik madhor, ne kishim përcaktuar si detyra parësore demaskimin e politikës së pushtuesve të rinj të udhëhequr nga Titoja, nga Rankoviqi, nga Cërvenkovski dhe nga banda e tyre kriminale.

​E thashë edhe më lart, që për nga përdorimi i dhunës dhe diskriminimit, Partia Komuniste Jugosllave ua kaloi nazistëve dhe fashistëve gjermanë, italianë e bullgarë. Madje ishin edhe më të zinj se Perandoria Osmane, sepse pushtimin e trojeve tona përpiqeshin ta prezantonin si realizim i të drejtave të plota të kombeve dhe se gjoja një gjë e tillë ishte bërë edhe me “vullnetin e shqiptarëve”. Imagjinoni se deri në çfarë shkalle shkoi absurditeti i propagandës së tyre: paraqitej se gjoja shqiptarët jo vetëm që nuk kishin dashur të bashkoheshin me Shqipërinë, por as nuk kishin dashur të kenë republikën e tyre në sistemin federativ të shtetit jugosllav! Madje, shqiptarët na paskëshin shprehur vullnet, që territoret e tyre të ndaheshin në tri republika sllave: Republikën e Serbisë, Republikën e Maqedonisë dhe Republikën e Malit të Zi! Është pak të thuhej propagandë absurde!

Si e mendoni çlirimin dhe bashkimin kombëtar?

Rafi Halili: Ngritja e vetëdijes për t’u mobilizuar rreth luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar ishte prioritet i parë, për arsye se pa u vetëdijesuar për domosdoshmërinë që të luftohet për heqjen e të gjitha formave të diskriminimit dhe shtypjes kombëtare, është e pamundur të imagjinohet ndonjë veprim tjetër. Për këtë arsye, ne “rrëmbyem” mjetet teknike të domosdoshme për të shtypur traktet dhe materialet e tjera, duke mos lënë as çështjen e përgatitjes së luftës së armatosur. Në këtë drejtim ne niseshim nga një qëndrim i qartë: armët duhet t’ia merrnim armikut. Për këtë arsye thyem edhe depon e armëve që kishte kabineti paraushtarak i gjimnazit të Tetovës dhe morëm armët që gjetëm aty.

​Pas një numri aktivitetesh të kësaj natyre që kishim kryer nëpër shumë qytete të Maqedonisë, pushteti jugosllav ra në gjurmët e organizatës sonë dhe na arrestoi.

Në të njëjtën kohë që vepronit si organizatë politike e fshehtë, ju studionit në Prishtinë. A kishit kontakte me organizata dhe grupe të tjera, që vepronin në bazë të orientimeve të njëjta politike?

Rafi Halili: Veprimtaria e fshehtë politike kërkon një shkallë të madhe të vigjilencës. Kujdesi duhej të ishte maksimal, sidomos kur kemi parasysh se Shërbimet Sekrete të pushtetit sllav i kishin futur hundët gjithkah. Ky fakt bënte që organizatat dhe grupet të krijoheshin mbi baza të rretheve ku jetonin dhe prej nga vinin, sepse vetëm në ato rrethe mund t’i njihnim njerëzit dhe të shmangnim kontakte me njerëz që ishin të lidhur me pushtetin familjarisht.

​Pas arrestimit dhe dënimit tonë, na transferuan në burgun e Idrizovës, ku patëm mundësi të njiheshim me të burgosur të tjerë politikë nga të gjitha trevat shqiptare. Gjatë qëndrimit tim në Idrizovë po veçoj kontaktin që krijuam me Rexhep Malën, njeri shumë i guximshëm dhe i mençur. Më vonë, pas daljes nga burgu, përmes Rexhep Malës vendosëm lidhjet me Grupin Revolucionar të Kosovës, që kishte ndërruar emrin dhe tani quhej Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës. Mendoj se është me rëndësi të përmendet se, edhe gjatë qëndrimit në burg, ne bënim jetë në përputhje me pikëpamjet tona politike. Edhe në burgun e Idrizovës arritëm të futnim literaturë të ndaluar, që na shërbente për ngritjen tonë intelektuale dhe aftësimin për të vazhduar luftën drejt realizimit të qëllimeve tona kombëtare. Madje edhe aty rezistonim qoftë përmes grevave, qoftë përmes protestave të ndryshme.

Kur është fjala për veprimtarët që vinin nga pjesa e territoreve që ishin në Serbi, do të veçoja njohjen me Hydajet Hysenin, Ilmi Ramadanin, Xhafer Shatrin, Nijazi Korçën, Hasan Dërmakun dhe shokë të tjerë, që na kishte bashkuar qëllimi i vetëm: çlirimi i tokave shqiptare dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë.

​Meqenëse shkalla e organizimit ishte më e lartë në Kosovë, në krahasim me nivelin që kishim në viset shqiptare në Maqedoni, ne u furnizuam me materiale propagandistike, literaturë që zhvishte politikën demagogjike të Jugosllavisë dhe nxirrte në pah krimet e shumta, që regjimi i Titos kishte kryer kundër shqiptarëve.

​Kur bëhet fjalë për këta shokë të idealit, gjeneratat e reja nuk duhet ta harrojnë se kemi të bëjmë me njerëz tepër të vendosur dhe të pathyeshëm. Armiku e dinte se me kë kishte të bënte. Rexhep Mala së bashku me Nuhi Berishën, rezistuan deri në frymën e fundit. U vra edhe Gafur Loku së bashku me djalin e vet…

Edhe ju tentuan t’ju likuidojnë.

Rafi Halili: Po. Është e vërtetë që u përpoqën të më vrisnin gjatë rezistencës që u bëmë, nëse marrim parasysh numrin e plumbave që më kanë goditur gjatë konfrontimit të armatosur që patëm në fillim të qershorit të vitit 1982.

Pas daljes nga burgu, ju vazhduat aktivitetin politik?

Rafi Halili: Po, aktiviteti politik duhej vazhduar, për shkak se arsyet për të cilat ishim organizuar edhe herën e parë, ishin ende në fuqi: populli shqiptar ende ishte i robëruar dhe i ndarë në tri republikat e Jugosllavisë.

Në kohën kur dola nga burgu, ishte një frymë e re atdhetare, që dominonte te rinia shqiptare, frymë që ishte krijuar nga të gjitha veprimtaritë që ishin bërë dhe po bëheshin për 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Përvjetorët nuk organizohen rastësisht, sa për të organizuar diçka. Këto manifestime kanë qëllime të caktuara, sidomos kur bëhen nga nivelet më të larta shtetërore.

​Shqipëria e asaj kohe kishte përgatitur me dhjetëra analiza kushtuar kësaj periudhe historike. Krahas aspektit shkencor kushtuar ndriçimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u krijuan qindra këngë, ku patriotizmi ishte elementi kryesor që i dallonte nga këngët e mëparshme, drama dhe pjesë të ndryshme teatrale, piktura, skulptura dhe vepra të shumta artistike, që theksonin padrejtësitë që u ishin bërë shqiptarëve në kohën kur krijoheshin shtetet kombëtare në Ballkan.

​Përkujtimi i këtyre ngjarjeve kishte një mesazh të qartë: njëqind vjet më vonë shqiptarët që ishin ndarë padrejtësisht nga trungu kombëtar, vazhdonin të shtypeshin dhe të diskriminoheshin. Për këtë arsye, duhej të mobilizoheshim, që të fitonim lirinë dhe të bashkoheshim me shtetin amë.

Në këto rrethana riorganizimi dilte si domosdoshmëri. Prandaj “Kushtrimi i Lirisë” doli në skenë përsëri.

Çfarë e dallonte organizimin e ri nga ai i mëparshmi?

Rafi Halili: Format e veprimtarisë ishin të njëjta. Ajo që dallonte nga periudha e mëparshme kishte të bënte me shtrirjen e organizimit në hapësirë më të madhe dhe lidhjet e ngushta me radhët e organizuara në Kosovë.

Kur bëhet fjalë për shtrirjen organizative në Maqedoni, dua të përmend një fakt: në vitin 1981 janë shpërndarë rreth 4000 trakte në Tetovë, në Shkup, në Kërçovë, në Strugë, në Gostivar, në Dibër dhe në Kumanovë. Nga aktivistët që ishin dalluar në shpërndarjen e trakteve, gazetës “Liria”, “Buletinit Kushtrimi i Lirisë” dhe të literaturës që ishte botuar në Tiranë po përmend vëllezërit Ametali dhe Alirami Veliu, kushërinjtë Bejtulla dhe Xhevat Ademi, Bardhyl Berishën, Fatmir Fandën dhe shumë të tjerë, që me përkushtim të madh kanë vepruar gjatë asaj periudhe.

​Ndërsa lidhja me radhët e organizuara në Kosovë mundësonte që materialet propagandistike t’i siguronim përmes shokëve nga Kosovës. Madje ata kishin avancuar në drejtim të organizimit dhe nxirrnin fshehura gazetën “Liria”, që me plot të drejtë mund të themi se prezantonte edhe qëndrimet dhe qëllimet tona politike. Prandaj anëtarët e organizatës sonë e shpërndanin këtë gazetë si të ishte gazeta e tyre.

Megjithatë, ju arritët të shtypnit buletinin e organizatës me të njëjtin emër: “Kushtrimi i Lirisë”. Çfarë ju shtyri të ndërmerrnit një gjë e tillë?

Rafi Halili: E vetmja arsye për një gjë të tillë, ishte fakti që territoret nën sundimin maqedonas kishin disa specifika të veçanta në krahasim me pjesët e tjera shqiptare në Jugosllavi. Ne dëshironin që, përmes buletinit tonë, të pasqyronim problemet dhe format e diskriminimit që përjetonin drejtpërdrejt qytetarët shqiptarë të këtyre anëve, me shpresë se në këtë rast efektet do të ishin më të mëdha.

Por, kjo nuk do të thotë se kishim ndarje politike. Buletini “Kushtrimi i Lirisë” në plot kuptimin e fjalës ishte pjesë përbërëse e gazetës “Liria”, sepse në buletinin që përgatisnim për trojet shqiptare në Maqedoni, ne huazonim artikujt e gazetës “Liria” dhe shtonim ato që kishin të bënin me demaskimin e shtypjes dhe të shfrytëzimit të shqiptarëve në Maqedoni. Realisht, në mungesë të teknikës, numri i kopjeve të buletinit tonë ishte i reduktuar dhe kjo impononte të shpërndahej dorë më dorë.

Pas gjithë kësaj veprimtarie kombëtare, sa jeni i kënaqur me rezultatet që kemi arritur si shqiptarë, duke pasur parasysh pozitën ku ishim në kohën kur keni filluar organizimin e veprimtarisë atdhetare?

Rafi Halili: Populli i anëve tona ka një shprehje, që e përdor për situata të ngjashme: “Nuk duhet të bësh Bajram me vetveten”!

Përkundër rezultateve të mirë që janë arritur si rezultat i Luftës Çlirimtare në Kosovë, situata e përgjithshme e shqiptarëve nuk është e kënaqshme. U bë luftë në tri komunat shqiptare të Kosovës Lindore (Presheve, Medvegjë dhe Bujanovc) dhe përkundër luftës së UÇPMB-së, shqiptarët shtypen dhe diskriminohen në mënyrën më të egër nga Serbia; u bë luftë në Maqedoni dhe përkundër luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, shqiptarët shtypen dhe diskriminohen nga Maqedonia; në territoret shqiptare në Mal të Zi nuk pati luftë, por shtypja dhe diskriminimi i shqiptarëve vazhdon. Pa bashkimin në një shtet të vetëm të të gjitha territoreve që, padrejtësisht, janë ndarë nga trungu amë, Shqipëria, as që do të ketë liri të plotë e as drejtësi dhe zhvillim ekonomik. Duhet ende punë që të realizohen aspiratat tona kombëtare, për të cilën dhanë jetën shumë veprimtarë të shquar.

Ju faleminderit për sqarimet që keni dhënë!

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here