Personaliteti dhe karakteri

0

 

Shkruan: Arben Dashevci

Kur flasim për personalitetin e njeriut, menjëherë na shkon mendja çfarë  e dallon një njeri si personalitet nga njerëzit e tjerë, ku qëndron veçantia e atij njeriu që të tjerët nuk e kanë.

Ka shumë njerëz që kanë lënë gjurmë si personalitete dhe që janë dalluar me personalitetin e tyre prej njerëzve të tjerë…

 

Mua si njeri me interesojnë dhe i veçoj personalitetet shqiptare. Jo pse nuk e  respektoj të huajën, unë e respektoj shumë.-Por, ajo çfarë është e imja, e dua dhe e respektoj edhe më shumë, sepse, është e imja.

Vendi ynë Kosova ka pasur dhe ka ende personalitete të veçanta me karakter të veçantë prej të tjerëve dhe unë i kam veçuar dy prej tyre sepse më kanë lënë mbresa të jashtëzakonshme, sepse puna dhe vepra e tyre ka qenë e jashtëzakonshme dhe kësi lloj  njerëzish hasim shumë rrallë ne histori.

Baca Shaban Jashari

Po e shkruaj vetëm një copëz të vogël të shkrimit, sepse unë ndjehem shumë i vogël kur shkruaj për një KOLOS të madh të kombit shqiptar siç ishte Baca Shaban Jashari. – Ky njeri i urtë e shumë i dashur për mua dhe për mbarë popullin Shqiptarë, dha krejt çka pati për këtë liri që ne sot po e gëzojmë, dha pothuajse krejt familjen e tij për Kosovën tonë të dashur.

Shaban Murat Jashari lindi më 2 prill të vitit 1924, në Prekaz, fshat i njohur për rezistencë kundër shkelësve të trojeve të atdheut. –Ishte djali i vetëm i Murat Jasharit, të cilit më vonë i lindin edhe dy bija. Edhe babai i tij kishte qenë burri i vetëm në familje, ashtu sikurse dhe gjyshi, Fazli Jashari.

5, 6 dhe 7 mars, 1998

Në mëngjesin e 5 marsit të vitit 1998, forcat e motorizuara të njësive elite speciale serbe kishin filluar sulmin me armë të rënda të artilerisë në drejtim të Kullës së Jasharëve.

Rreth orës 6 ishte zbrazur breshëri paralajmërues i fillimit të betejës, që do t’ua ndërronte rrjedhën ngjarjeve jo vetëm në Kosovë, por madje edhe në tërë Ballkanin.

Brenda në Kullë ishin: Shaban Jashari, Hamëz Jashari, Adem Jashari, Osman Geci, Bashkim Rifat Jashari, Fitim Adem Jashari, Kushtrim Adem Jashari, Besim Hamëz Jashari, Zahidja me rejat Adilen, Feriden dhe Zarifen, si dhe nipat e mbesat: Selvetja, Afetja, Liria, Blerimi, Fatimja, Blerina, Igballja, Igballi, Valdetja, Hidajetja e Besarta.

Breshëria e armëve të armikut kishte vazhduar gjatë tërë ditës. Në intervale të shkurtra të ndërprerjes së zjarrit, vrastarët serbë përmes megafonave kërkonin dorëzimin e Jasharëve, në rast të kundërt ata paralajmëronin shfarosjen totale të krejt familjes.

Lufta vazhdonte… Të gjithë i mbanin pozicionet nga ku pritej të afrohej këmbësoria e armikut. Komandant Adem Jashari, kontrollonte pozicionet. i këshillonte luftëtarët që të mos e harxhonin kot municionin, por të prisnin derisa të afrohej këmbësoria.

Me urdhrin e Komandantit dhe me pëlqimin e Shaban Jasharit, nga Kulla ishte larguar, duke çarë rrethimin, Bashkim Rifat Jashari. Luftimet e pandërprera kishin vazhduar edhe ditën e dytë e të tretë, derisa predha e topave të armikut e kishte goditur bunkerin ku strehoheshin fëmijët e gratë, 13 anëtarë të familjes së Shaban Jasharit.

Goditja kishte qenë fatale. Nga vendstrehimi, në të cilin kishte rënë ploja mizore, kishte shpëtuar vetëm Besarta Jashari, dëshmitarja e vetme e ndeshjes më të përgjakshme të historisë sonë më të re. Ditën e tretë, forcat serbe kishin vënë në shënjestër edhe disa shtëpi të tjera të lagjes së Jasharëve. Këtë ditë, në Kullën e Qëndresës, në mesin e 20 anëtarëve të familjes së tij, kishte rënë edhe vetë kryefamiljari, Shaban Jashari. Ndër ta kishte rënë edhe komandanti legjendar, anteu i kohës sonë, Adem Shaban Jashari.

Rënia heroike e Jasharëve i kishte dhënë impulse vendimtare luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas këtij heroizmi të Jasharëve, mijëra liridashës shqiptarë, që ishin në emigracion në shtete të ndryshme të Evropës dhe të botës, iu bashkuan Luftës Çlirimtare.

Jasharët u bënë familje nderi e qytetërimit dhe familja më meritore e kombit shqiptar.

Ky është baca ynë Shaban Jashari. Trim mbi trima, mësuesi, pedagogu, luftëtari i madh dhe i paharruari ynë.

-Personalitet i veçantë, shembull për shumë personalitete në botë, karakter i veçantë dhe i pa thyeshmi.

Lavdi për jetë e mot, jetës dhe veprës së tij.

Akademik Esat Stavileci

Ky kolos i shkencës, ky akademik i madh, ky njeri i urtë, me vlera të jashtëzakonshme dhe largpamës.

Do të ndaj me ju në këtë shkrim vetëm disa fjalë prej testamentit të tij për studentët, mjafton me pak fjalë që të arrijmë në përfundimin se ky është njeri  dhe Personalitet i  veçantë me karakter të veçantë.

 Pjesë nga Ligjërata “testament” të Akademikut Esat Stavileci:

Sot “po dal nga një derë” në të cilën kam hyrë para 45 vjetësh. Është fat i madh të presësh të dalësh nga dera në të cilën ke hyrë! Nga të gjitha dyert më të mirat janë dyert e hapura; nga të gjithë çelësat janë ata që hapin të gjitha dyert! Në jetë nuk kam ndeshur në dyer të mbyllura. Kam përdor çelësat që m’i kanë hapur të gjitha dyert dhe për këtë ndihem krenar!

Pse po largohem? Përherë kam konsideruar se më mirë është të largohesh se të të largojnë! Është pëlqyer një aforizëm i imi: ne shqiptarët sikur nuk dimë se kur është mjaft! Kam dashur që me shembullin tim të dëshmoj të kundërtën! Është mjaft nëse “le pas vetes” ata që mund të trashëgojnë: dy asistentë doktorë shkencash në këtë fakultet dhe dy asistentë doktorë shkencash në Universitetin Evropës Juglindore në Tetovë.

Kam ecur nëpër një rrugë të mesme, sepse shumë herët më kishin mësuar se mesi është i artë.
Sot po përshëndetem me ju dhe me institucionin në të cilin kam punuar 45 vjet. Po mbaj një fjalë që mund të kualifikohet në një ligjëratë lamtumirës. Kush mban ligjëratë lamtumireshe duhet ta ketë merituar ligjëratën inauguruese.
Lartësia e bjeshkës “nuk matet me sy”, por “me këmbë!”.

Në jetën time kam ecur këmbë, që të “mos më mashtrojnë sytë!”.

Uniteti – ose integriteti nënkupton individin si tërësi, tek i cili të gjitha veçoritë përkatëse derdhen në një mënyrë të caktuar të sjelljes dhe bashkërisht përcaktojnë sjelljen e tij.

Veçantia ose uniteti i personalitetit -nënkupton që çdo individë dallon nga çdo individ tjetër, duke pasur parasysh atë se çfarë cilësish ka dhe si janë të ndërlidhura ato në mes veti.

Çdo njeri është personalitet në vete,  me të gjitha veçoritë e veta karakteristike dhe me strukturën e atyre veçorive.

Ajo veçanti, nuk është absolute. Individët nuk dallojnë mes veti në atë masë sa të mos mund të krahasohen.

Nëse i shtojmë edhe veçoritë e karakterit, në të cilat pasqyrohet qëndrimi i njeriut ndaj atdheut, punës, ndaj vetvetes dhe të tjerëve, atëherë këto janë veçori të personalitetit.

Veçoritë e personalitetit përbëjnë unitetin e atij personi në kuadër të personalitetit të tij, dhe çështja e përfshirjes së tyre varet nga drejtimi i qasjes në studimin e personalitetit.

Çdo veçori ka karakteristika të caktuara që caktojnë ndikimin e saj në sjelljen e individit.

Karakteri – Asnjë komponentë i personalitetit, nuk ka shkaktuar aq mospajtime ndër psikologët siç është karakteri.

Disa autorë me karakterin nënkuptojnë veçoritë e tilla që tregojnë sjelljen karakteristike të individit duke pasur parasysh normat morale dhe botëkuptimet morale të shoqërisë së caktuar, prandaj si për karakteristika të karakterit flitet për ndershmërinë, jo-egoizmin, modestinë, ndërgjegjen, etj.

Psikologu amerikan Gilford -është përpjekur që me anë të hulumtimit sistematik me ndihmën e një veprimi të veçantë statistikë, të të ashtuquajturës analizës së faktorit, t’i ndajë  disa nga veçoritë themelore që shënojnë karakterin e njeriut.

Ai ka gjetur këto veçori që për nga përmbajtja e tyre do të mund të konsideroheshin si të karakterit:

Së pari, kjo është nevoja për liri, që manifestohet në dëshirën për lirinë nga kufizimi, në synimin që të lirohet nga kallëpet dhe në përpjekjet që njeriu të jetë krijesë i lirë.

Së dyti, nevoja për t’u mbështetur në forcat vetanake, tendenca që njeriu të mbështetet në vetveten, për dallim nga synimi i kundërt i saj për t’u mbështetur në të tjerët dhe për të shkuar pas të tjerëve.

Së treti, kjo është ndershmëria që në mënyrën më të përgjithshme mund të karakterizohet si shmangie për të gënjyer dhe mashtruar.

Për Fund: i mora për shembull të këta dy njerëz të mëdhenjtë, secili prej tyre i veçantë dhe me karakter të veçantë, të mëdhenj dhe kolos të këtij shteti, secili prej tyre me atribute shembullore dhe shembull për të tjerët.

Këta dy emra që i veçova në këtë shkrim  janë thellë të gravura në zemrën time, janë shembulli më i mirë se si duhet të jemi në jetë, dhe këto dy personalitete e kanë dëshmuar në praktikë se çka është vatani, si punohet dhe vdiste për te.

Nuk i harrojmë në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast edhe të tjerët, sepse secili ka meritën e tij/sajë për atdheun tonë  të shtrenjtë, Kosovën.

Janë shembull më i mirë dhe duhet të shërbejnë për breza të tërë, se si duhet të punohet deri në frymën e fundit, duke dhënë të gjitha për atdhe, në heshtje dhe me punë.

Mu për këtë arsye janë personalitete të veçanta me karakter të veçantë.

Me shpresën që të tjerët të cilët na udhëheqin, marrin mësimin nga këta dy njerëz të mençur dhe të urtë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here