Rrathët koncentrikë të krizave dhe ekuacioni i konfuzitetit shqiptar

0

 

Milazim KRASNIQI

 

Një mundësi “për bashkim” ekziston, por ajo kalon nëpër shkatërrimin e Kosovës si shtet, duke ia dhuruar Serbisë veriun, mbikëqyrjen administrative e fetare të Pejës, Prizrenit, Deçanit dhe Obiliqit, me çka do të kishte eksod dhe shkatërrim definitiv të Kosovës dhe të shqiptarëve të saj.

 

Një mënyrë paksa argëtuese e trajtimit të keqkuptimeve dhe hileve ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor (ku biem edhe ne shqiptarët) dhe Bashkimit Europian është ta fillosh me një batutë, sipas të cilës një grua i thotë dikujt: “mbajma kopilin, t’i them kurvë asaj tjetrës, para se të më thotë ajo mua.” Në fakt, probleme të shumta ekzistojnë në relacionet ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, të cilat tentohet të identifikohen e të zgjidhen në procesin e integrimit dhe anëtarësimit të këtyre shteteve ballkanike në BE, por më shumë me dyshime e me akuza të ndërsjella, se sa me një frymë mirëfilli integruese dhe pajtuese.

Byrokratët e Brukselit dhe “jurishnikat” e Ballkanit
Bile edhe raporti i fundit i Progresit i BE-së (tetor 2021) identifikon probleme të shumta dhe konkrete të këtyre shteteve dhe jep rekomandime se si ato duhet të trajtohen e të zgjidhen, por me tone qortuese dhe urdhëruese. Realisht, identifikimi i problemeve me të cilat ballafaqohen shtetet e Ballkanit Perëndimor është bërë me kompetencë burokratike, e cila nuk mund të zhvlerësohet nga histerizmat e “jurishnikave” të Ballkanit. Por, që observimit dhe rekomandimeve u mungon fryma e mirëkuptimit për popujt e këtij rajoni, vërtet u mungon. Edhe në këtë rast, si në shumë të tjera, ka një hile të madhe: askund nuk identifikohet përgjegjësia e vetë Bashkimit Evropian për gjendjen e keqe në shtetet ballkanike, ndërsa e vërteta është se Bashkimi Evropian i ka mbyll këto shtete si në vath. Krejt ndryshe nga rasti që ishte me Rumaninë e me Bullgarinë, të cilat u pranuan me procedura të përshpejtuara dhe pa i plotësuar kriteret. Ndonëse Bashkimi Evropian u ka premtuar shteteve ballkanike perspektivën europiane që nga Samit i Selanikut (2003), as në samitin e Bërdo-Kranjit (2021) nuk denjoi që t’ua jipte si një datë të mundshme anëtarësimi, madje as vitin e largët 2030. Për të fshehur disi hilenë, Bashkimi Evropian ka lancuar para disa vitesh Procesin e Berlinit (i cili më shumë se sa si projekt integrimi, më duket projekt rivalizimi me Kinën, në aspektin e investimeve infrastrukturore në rajon!) Ndërsa shtetet ballkanike i ka lejuar të tallen me veten e tyre, me Trilateralen e Novi Sadit, së cilës njëherë iu dhanë emrin MiniShengen, më vonë Open Ballkan, po që në esencë mbetet vetëm një alternativë e projektit të maskuar serbomadh dhe një pretekst i ri për përçarje të reja. Prandaj, keqkuptimet ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian janë gjithnjë prezente, nga të dyja drejtimet. Fjala vjen, ankesat e kohëve të fundit të Edi Ramës ndaj Bashkimit Evropian, pas samitit të Bërdo Kranjit u duken të ashpra, por ato tashmë janë zbehur nga shkulmet emocionalisht të pakontrollouara të Vjosa Osmanit, si reagim ndaj raportit të progresit, ku është identifikuar edhe një shkelje kushtetuese nga ana e saj. Ndërsa Vuçiqi e sidomos pionët e tij, Dodiku e Vulini, mbeten kampion të akuzave ndaj Bashkimit Evropian, duke e intensifikuar çdo ditë varësinë politike dhe ushtarake serbe nga Rusia dhe varësinë ekonomike nga Kina. Me një fjalë, Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor janë në hall e në zavall njëri me tjetrin. Akuzojnë njëri tjetrin, ia kanë me hile njëri-tjetrit, duke qenë të dyja palët fajtorë për gjendjen (si ato dy gratë e batutës së fillimit të këtij teksti.) Pse është kështu?

Kryeshkaku i krizave: projekti imperial dhe hegjenomist serbomadh

Kështu është ngase krizat e shteteve të Ballkanit Perëndimor, në mungesë të vendosmërisë së Bashkimit Evropian, i janë lënë në dorë stihisë. Ndërsa, krizat e këtyre shteteve nuk mund të zgjidhen në mënyrë stihike, ngase janë shumë të ngatërruara, në formën e rrathëve koncentrikë, që nga krizat kulturore, identitare, sociale, ekonomike, demografike, kombëtare, etj. (Mbase kjo e fundit është kryesorja, sepse kriza kombëtare, i ka stimuluar dhe i stimulon edhe krizat e tjera.) Meqë kombet në Ballkan kryesisht janë kombe të reja, ato nuk e kanë përfunduar në mënyrë natyrale procesin e konsolidimit, (veçmas maqedonasit, malazezët dhe boshnjakët,) prandaj kanë mbetur me shumë mungesa e me shumë komplekse. Është pak a shumë ashtu siç thoshte Masariku: “Kombet që hynë vonë në skenën e jetës së tyre të pavarur, nuk e meritojnë fatin e tyre në qoftëse nuk mund të përfitojnë nga eksperienca e gjatë e popujve të tjerë.” Këto kombe, bashkë me shqiptarët e me serbët, nuk kanë përfituar nga eksperienca e kombeve të tjera, veçmas nga eksperienca pas Luftës së Dytë Botërore, kur u ngjiz një filozofi dhe një praktikë e re e bashkëpunimit dhe e jetës në paqe të të gjitha kombeve të Evropës. Shpërbërja e përgjakshme e ish Jugosllavisë ishte më shumë si vazhdim i Luftës së Dytë Botërore, e aspak e lidhur me realitetet gjeopolitike e kulturore pas mbarimit të saj. Natyrisht, shumica e problemeve në shtetet e reja ballkanike janë bërë shumë më dramatike, si pasojë e asaj shpërbërjeje të përgjakshme të ish Jugosllavisë, ku viktima direkte të agresiont serbomadh ishin Kroacia, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova, ndërsa pasojat tektonike të agresionit serbomadh janë ndier e ndihen edhe sot në Malin e Zi. Krizat e shteteve të Ballkanit vërtet janë në formën e rrathëve koncentrikë, ku krizat kombëtare janë të parat, por përtej kësaj, ka një kryeshkak, projekti imperial dhe hegjenomist serbomadh. Projekti për Serbinë e Madhe, ndonëse ka pësuar disfarë në luftë, po lejohet të zhvillohet në paqe. Serbia po i mban në destabilizim permanent Bosnje e Hercegovinën, Kosovën dhe Malin e Zi, duke ua vështirësuar konsolidimin e brendshëm shtetëror dhe rrugën e integrimeve evropiane. Edhe pse projekti imperial e hegjemonist serb zbatohet ditën për diell, i përkrahur haptas edhe nga Rusia, Bashkimi Evropian, nuk e emërton qartë, po bën të kundërtën: e shpërndan përgjegjësinë te të gjitha shtetet ngapak, bile nganjëherë i fajëson më shumë shtetet që janë viktima të presioneve të Serbisë, Kosovën e Bosnjen. Kjo mënyrë e shpërndarjes jo proporcionale të fajit, po e inkurajon Serbinë edhe më shumë që të ngulmojë në realizimin e projektit të vet, kësaj here në realitetetet e reja dhe me mjete të reja. Për këtë synim në Serbi janë adoptuar platforma e programe të reja. Kësodore, Serbia në Memorandumin 2 të vitit 2011, nuk flet në mënyrë eksplicite për Serbinë e Madhe, po për modalitete rehabilituese të idesë së saj dhe për relativizimin e përgjegjësisë së Serbisë për krimet e kryera në vitet 90. Në këtë dokument joformal, ndër të tjera kërkohet që të minimizohet përgjegjësia e Serbisë për krimet e kryera, që vëmendja e publikut të fokusohet tek paditë dhe proceset gjyqësore kundër qytetarëve të BeH, që BeH të detyrohet që të heqë dorë nga padia kundër Serbisë, që të destabilizohen qeveritë e BeH, Kroacisë dhe të Kosovës, të provokohen trazira të brendshme në rajon, të ndihmohet pavarësia e Republika Sërpskas, të insistohet në statusin konstituiv të serbëve në Kroaci, në Kosovë dhe në Malin e Zi, të bëhet tranzicioni i bashkësive ekzistuese serbe në rajon, në bashkësi unitare serbe, të pengohet ndarja e Vojvodinës, të pengohet rajonalizimi i Serbisë, etj. Ndërsa në Objektivat e reja të politikës së Serbisë të vitit (2016), ndër të tjera parashihet edhe rritja e ndikimit të Serbisë me instrumente destabilizuese në Kosovë, rritja e natalitetit te serbëve në Kosovë, serbizimi i goranëve dhe boshnjakëve, shpërngulja e shqiptarëve në Evropë, rrallimi demografik i tyre, ndryshimi gjeopolitik në favor të Rusisë si rast per rikthim në Kosovë dhe koordinimi me Greqinë e me Rusinë. Edhe pse këto janë dokumente që kanë dalë në publik, siç ka dalë edhe Non pajperi nga zyra e Janez Janshës dhe Viktor Orbanit, që për disa njohës të zhvillimeve duket si të jetë Memorandumi 3, Bashkimi Evropian shtiret se në to nuk sheh elemente të politikave imperiale hegjemoniste të së shkuarës së afërt, kur Millosheviqi tentoi ta realizonte projektin e Serbisë së Madhe me luftëra të armatosura. Bile në raportin e progresit 2021 thuhet se Serbia është e dedikuar për bashkëpunim të mirë fqinjësor! Në këtë konfuzion, shtetet që i janë ekspozuar këtij presioni serbomadh, Bosnja e Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi e kanë vështirë të konsolidohen e të shndërrohen në shtete stabile e të suskesshme, pasi çdo ditë janë në shënjestër të aksioneve destabilizuese, ose nga kolona e pestë, ose nga ndërhyrja direkte nga Beogradi. Kosova është në shënjestër të kësaj politike sermomadhe dhe të këtij injorimi nga ana e Bashkimit Evropian. Si po kundërbalancon Kosova?

Gara e Kosovës me armiqtë, me Shqipërinë dhe me veten

Që në fillim duhet të thuhet qartë se Kosova e sotme e pavarur është si produkt i një akordi ndërkombëtar të Perëndimit, e jo si projekt i nacionalizmit shqiptar. Kosova e sotme e pavarur, me Procesin e Vjenës dhe me Planin eAhtisarit është projektuar si shtet multietnik, si projekt antinacionalist, ku deri edhe ngjyra e kuqe dhe ngjyra e zezë janë ndaluar, që të mos ketë asocime me flamurin kombëtar shqiptar. Në një rast tjetër e kam skicuar këtë problem kështu: “Kosova u bë shtet në kuadër të procesit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, e jo si ndonjë korrigjim i padrejtësive historike ndaj shqiptarëve, që janë bërë kundër nesh të kaluarën. Padrejtësi në të kaluarën janë bërë edhe kundër kombeve të tjera në Evropë, fjala vjen, kundër hungarezëve, por ato padrejtësi kanë mbetur të pakorrigjuara. Prandaj, vlerësimi për suksesin e shqiptarëve të Kosovës në bërjen e shtetit, duhet të trajtohet brenda kontekstit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, proces në të cilin Kosova dhe shqiptarët e saj kanë kontribuar realisht, por jo në mënyrë vendimtare, jo aq sa ajo federatë të shpërbëhej nga fuqia gjëmësjellëse e shqiptarëve. Shpërbërjen e ish Jugosllavisë e ka provokuar në mënyrë vendimtare nacionalsocializmi serb.” Prandaj, Kosova krahas problemeve të shumta me armiqtë e saj, veçmas me Serbinë, e ka edhe problemin e qartësimit të identitetit të vet dhe të interesit të saj shtetëror edhe në relacionet brendakombëtare. Me mbetëzat e iredentizmit, ajo vetëm mund të rritë dyshimet te sponsorët e pavarësisë së saj, për qëllimet e fshehta të shqiptarëve, gjë që mund të shpjerë drejt rritjes së kujdestarisë së Serbisë si hegjemone në rajon. Pra, në raportet e tashme të fuqisë, kur NATO, SHBA dhe BE janë kundër bashkimit kombëtar të shqiptarëve, është iluzore të thuhet se bashkimi kombëtar është i mundshëm, siç thotë kolegu ynë, Abdi Baleta. Për bashkimin kombëtar të shqiptarëve do të duhej të prisheshin katër shtete, tre nga të cilat janë anëtare të NATO-s (Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Mali i Zi) dhe një që është vasal i Rusisë (Serbia.) Vullneti i sponsorëve nuk ekziston, fuqia e shqiptarëve është e pamjaftueshme. Bile ka mundësi që njëra nga arsyet pse Kosova po mbahet nën presionin e Serbisë, e izoluar nga BE e me rrezikun real që Bashkësia e Komunave Serbe të jetë me kompetenca ekzekutive, është edhe nga dyshimi “në qëllimet e fshehta” të iredentizmit shqiptar. Deklaratat e mëhershme pa mbulesë të Albin Kurtit, (deri sa e kuptoi, demek, në Lezhë, se Kushtetuta e Kosovës nuk e lejuaka bashkimin kombëtar!), deklaratat argëtuese të Edi Ramës me Arjan Çanin ose deklaratat pompoze të Sali Berishës në Shkup në vitin 2012, janë përdorë e përdoren si “argument” për rrezikun nga shqiptarët. Kjo qasje, që të llomotitet pa pasur kurrfarë projekti, bën më shumë dëm. Ndërsa ligjërimet ëndërrimtare për bashkimin kombëtar është mirë të vazhdojnë në publicistikë, në letërsi e në arte të tjera.

“Bashkimi” fatal – si triumf i plotë i Serbisë

Ata që mendojnë racionalisht, duhet ta dinë edhe një gjë: një mundësi “për bashkim”ekziston, por ajo kalon nëpër shkatërrimin e Kosovës si shtet, duke ia dhuruar Serbisë veriun, mbikëqyrjen administrative e fetare të Pejës, Prizrenit, Deçanit dhe Obiliqit, me çka do të kishte eksod dhe shkatërrim definitiv të Kosovës dhe të shqiptarëve të saj. Në atë rast “bashkimi shqiptar” do të ishte triumfi i plotë i Serbisë, sepse në esencë lufta e Serbisë për Kosovën është luftë religjioze e jo luftë demografike e as luftë për kodrat e Leposaviqit. Për këto arsye, duhet të kthjellohet mendja e të mos bëhen veprime vetëvrasëse, siç ishte edhe ideja për shkëmbimin e territoreve. Kosova duhet të tregohet lojale ndaj SHBA-së, NATO-s e Bashkimit Evropian, duhet ta forcojë shtetësinë e saj, të bëhet shtet i suksesshëm. Rrjedhimisht, kjo e bën të nevojshme që të rishikohen edhe raportet me “shtetin amë”, me Shqipërinë, mundësisht duke e fituar edhe me të garën si qendra e shqiptarizmit. Një Kosovë e tillë do të ishte digë e Aleancës Veriatlantike kundër penetrimit të Rusisë dhe pansllavizmit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here