Si mund ta ndalojë Amerika kërcënimin e Kinës në Tajvan

0

 

Washington Post: Si mund ta ndalojë Amerika kërcënimin e Kinës në Tajvan

Qielli përreth Tajvanit është i dendur me avionë luftarakë kinezë dhe bombardues bërthamorë nga Pekini që realizoi nja 150 fluturime afër zonës së identifikimit të mbrojtjes ajrore të ishullit vetëm në fillim të tetorit. Cilido qoftë qëllimi i saktë i presidentit Xi Jinping, qoftë për të ngacmuar Tajvanin dhe aleatët e tij-Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’i provokuar ose për të ndezur nacionalizmin vendas, nuk është qëllim dashamirës. Siç shihet edhe nga shkatërrimi i z. Xi të institucioneve të lira të Hong-Kongut, ribashkimi “paqësor” midis shtetit të tij komunist dhe Tajvanit demokratik, për çka ai bëri thirrje edhe një herë më 9 tetor, në mënyrë të natyrshme kërcënon të gjithë 23 milionë njerëzit që jetojnë në ishull. Një Kinë hegjemonike do të kërcënonte Japoninë, Australinë dhe Filipinet, duke destabilizuar të gjithë rajonin Indo-Paqësor. “Nuk duhet të ketë absolutisht asnjë iluzion se populli tajvanez do t’i nënshtrohet presionit,” u përgjigj presidenti Tsai Ing-wen, më 10 tetor. Ndihmësit kryesorë të politikës së Jashtme të presidentit Biden, gjithashtu kanë shprehur mosmiratimin e tyre. Pyetja urgjente për Taipein dhe Uashingtonin nuk është se si të shprehet me gojë kundërshtimi ndaj ambicieve të Pekinit, por si të mbështetet kjo në aspektin e parandalimit ushtarak. Kina ka shpenzuar qindra miliarda dollarë për të përgatitur sulmet përtej Ngushticës së Tajvanit. Ministri i Mbrojtjes i Tajvanit paralajmëroi kohët e fundit se Ushtria Çlirimtare Popullore do të jetë plotësisht e gatshme për të kryer një pushtim deri në vitin 2025. Kundërshtimi i kësaj dhe rritja e kostove të mundshme të Kinës, nënkupton sfidën më të madhe strategjike me të cilën përballet administrata e Bidenit dhe, ndoshta, pasardhësit e saj. Fatkeqësisht, ndërsa Kina ka qenë e fokusuar në Tajvan, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë i prirë për interesa më të gjera gjeopolitike, veçanërisht në Lindjen e Mesme. Vetë Tajvani ka lënë pas dore buxhetin e tij të Mbrojtjes, duke ia kushtuar pak më pak se 2 për qind të tërë GDP-së në vitet e fundit. Taipei ka ndërmarrë hapa inkurajues, edhe pse vonë, për ta korrigjuar atë, duke përfshirë një faturë shtesë që do të shpenzonte 9 miliardë dollarë pjesërisht në aftësitë e raketave kundër anijeve për të shmangur një flotë kineze. Administrata e Bidenit ka njoftuar një masë gjeopolitike për të kundërshtuar kërcënimin e Kinës, e cila masë përfshin shitjen e paralajmëruar së fundmi të nëndetëseve bërthamore në Australi; lidhje më të ngushta me Japoninë dhe Indinë; dhe mbështetje diplomatike për Tajvanin, si dhe një apel i mbështetur nga Bashkimi Evropian për përfshirjen e ishullit në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Që kur zoti Biden u bë president, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka shitur 750 milionë dollarë artileri Tajvanit dhe ka vazhduar një dislokim të trajnerëve detarë në ishull, gjë që ishte nisur në kohën e presidentit Donald Trump. E vërteta shqetësuese, megjithatë, është se vitet e fundit lojërat e luftës së Pentagonit dhe vlerësimet e tjera kanë treguar se aftësitë e SHBA-së, edhe në kombinim me ato të aleatëve të saj, mund të mos jenë të mjaftueshme për të mposhtur një pushtim kinez. Edhe pse inkurajon më shumë përpjekje nga Tajvani, Japonia dhe të tjerët në rajon, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të investojë më shumë në asetet e fuqisë së fortë-veçanërisht në forcat detare, të nevojshme për të mbështetur angazhimet e tyre në Azinë Lindore. Presidenti, megjithatë, propozoi një buxhet të mbrojtjes që mezi përputhej me inflacionin, edhe pse 5.5 miliardë dollarë janë destinuar për parandalimin e tillë në Paqësor. Në baza dypartiake, Dhoma ka miratuar një plan më të madh shpenzimesh për 13 anije të reja. Kjo mund t’i bëjë përshtypje Kinës më shumë sesa fjalët më të rrepta. https://www.washingtonpost.com/opinions/2021/10/12/how-us-government-can-deter-chinas-threat-taiwan/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here