Sinani: Luli është shembulli se tragjedia e vdekjes edhe mund ta transformojë jetën në fat

0

 

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, të dielën ka takuar Lulzim Sylejmanin, njëri nga shtatë të mbijetuarit e tragjedisë në Hungari.

Në një shkrim në Facebook, ka thënë se Luli është shembulli se tragjedia e vdekjes edhe mund ta transformojë jetën në fat.

Sinani tha përjetimi i tij nga Bushtrani është e vërteta e tragjedisë, dhimbjes, vdekjes, mbijetesës dhe jetës.

“Rrëfimi i tij nuk kishte sesi të mos na shfaqte dr. Xhejlanës, dr.Beqës, Tosit dhe mua, tmerrin e asaj tragjedie, pa e përjetuar.

Luli është i shpëtuari që shpëtoi të tjerë në aksidentin e autobusit në Bullgari që mori jetën e 45 udhëtarëve. Luli ishte më mirë me shëndet. Falë Zotit. Falë mjekëve. Është emri i guximit. Solidaritetit. Njerëzores.

Një përjetim që nuk mund të mos na parafytyronte bashkudhëtarët e tij, edhe pa i njohur. Ata dhe ato që sot prehen në paqe në botën e amshueshme. Familjarët e tyre. Të dashurit e tyre.

Ata dhe ato që mbijetuan.

Mirë se vjen në shtëpi Luli. Paç gjithmonë shëndet dhe lumturi.

E tërë Lugina është me ty. Krenohet me ty“, shkroi Sinani.

Ndryshe, të premten, më 3 dhjetor, në Maqedoninë e Veriut janë dorëzuar trupat e pajetë të 45 personave që vdiqën më 23 nëntor, në Bullgari në aksidentin me autobusin e agjencisë “Besa Trans”.

Trupat e viktimave janë bartur me dy avionë ushtarakë bullgarë, ndërsa në Aeroportin e Shkupit janë pritur nga drejtuesit më të lartë të institucioneve e përfaqësues nga Kosova e Shqipëria, dhe më pas në mënyrë të organizuar u janë dorëzuar familjarëve në vendbanimet e tyre ku edhe janë varrosur.

Në mesin e viktimave ishin edhe 12 fëmijë, ndërsa shumica kanë qenë familjarë që kishin udhëtuar në Stamboll të Turqisë për një vizitë treditore.

nga Taboola
Rekomanduar

Të gjitha viktimat kanë qenë shtetas të Maqedonisë së Veriut me etni shqiptare.

Aksidentit i kanë mbijetuar shtatë udhëtarë, të cilët janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit të autobusit, i cili ka marrë flakë pas përplasjes së bankinat e autostradës “Struma”, rreth 40 kilometra nga Sofja, por disa hetues e prokurorë bullgarë nuk e kanë përjashtuar mundësinë që shkëndijat që janë paraqitur nga përplasja e autobusit të kenë nxitur zjarrin.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here