VAR-i poli(e)tik: Haram kafetë, buzëqeshjet dhe përqafimet!

0

 

Nga Nazmi Elezi

Buzëqeshjen e tyre tani mund ta shohim vetëm nëpër posterët përskaj rrugëve.

Një muaj shpresë. Një muaj ëndrra të bukura. Një muaj bujari, kafe e dreka me miq, me të njohur e të panjohur.

Shumë buzëqeshje e zemërgjerësi! Premtuan shumë … por, edhe morën shumë premtime për naltmadhninë e saj – votën.

Këta ishin kandidatët tanë për kryetarë dhe këshilltarë komunalë.

Erdhi nata e 17 tetorit. Dikush festoi e dikujt iu vazhdua shpresa për festë edhe për një muaj. Por, u shuan shumë ëndrra e shpresa. U ngrinë shumë buzëqeshje. Ranë parashikimet dhe u shembën sondazhet dhe Exit Poll-et.

Ata që morën mijëra premtime e përqafime, me maska e pa maska, dhe mijëra pëlqime në Facebook, u stepën nga numri simbolik i votave që dolën nga kutitë e votimeve.

E, plagët e rezultateve të zgjedhjeve sa vijnë e hapen më shumë.

S’ka se si të mos ndjehet i zhgënjyer kandidati, teksa në formularët nga vendvotimet mungojnë jo vetëm votat e dajallarëve, shokëve dhe miqve, por edhe të familjarëve.

Për votat e kushërinjve edhe ashtu kanë qenë skeptikë. Por, dëshpërimin nga dajallarët nuk e kishin pritur.

Tradicionalisht, vota e dajallarëve, tezeve dhe baxhanakëve ka qenë stabile. Por, ja që po ndërrojnë kohët. Asgjë më nuk është si ka qenë.

Nejse.

Sado që ka vend për zhgënjim e dëshpërim, ata që nuk i “prekën” dot votat e më të dashurve, do të gjejnë ngushëllim duke thënë se ka edhe më keq. Dhe, kanë të drejtë!

Një kandidate për asamble komunale nuk e shijoi as votën e saj. Sipas rezultateve të KQZ-së, në formularin nga vendvotimi ku kishte votuar kandidatja, nuk figuronte as vota e saj.

Ajo edhe mund ta ketë hedhur në kuti votën për vete. Por, do të ketë harruar se vota, kur del jashtë kutisë, mund të marr tjetër udhë.

Rrugën deri në kuti e përcakton votuesi, por jashtë saj, për fatin e votës vendos naltmadhnia e tij – komisioneri.

Në gjykatat tona kanë përfunduar shumë procese gjyqësore ndaj komisionerëve të akuzuar për manipulim të votave. Por, duket se pesha e stimulimit material nga kandidatët e tejkalon peshën e dënimit që mund ta marrin komisionarët nga gjykatat tona të cilat, të shumtën e herëve (nëse nuk i lirojnë në mungesë provash), do të mjaftohen me shqiptimin e dënimit me kusht.

Monitorues e vëzhgues ndërkombëtarë dolën me vlerësime pozitive për procesin zgjedhor të 17 tetorit. Edhe kanë të drejtë, sepse procesi i votimit kaloi pa incidente të theksuara. Ndërsa, ajo që ndodhë pas orës 19:00 kur mbyllen qendrat e votimeve, është histori në vete.

Dikur pas orës 19 ndalej rryma, avulloheshin kutitë e votimeve … Tash jo. Tash ka aleancë paqësore mes komisionerëve të subjekteve politike, kur bëhet fjalë për kandidatët për deputetë dhe asamblistë. Secili vjedh në oborrin (listën) e vet.

Prandaj, tek ne vazhdon të konsiderohet “normale” kur në formularin e vendvotimit nuk figuron as vota e vetë kandidatit.

Prandaj, KQZ-ja ka vendosur ta dërgojë në rinumërim 23 vendvotime, kurse në Han të Elezit do të ketë rivotim për kryetar komune. Në arsyetimin e vendimit të PZAP-së për anulimin e zgjedhjeve në Han të Elezit, ndër të tjera thuhet se qytetarët janë shpërblyer materialisht nga njëri kandidat në garë.

Mbase jo vetëm në Han të Elezit kishte shpërblime të votuesve, blerje votash e maskarallëqe të tjera nga kandidatët që ishin në garë.

Nejse.

Përfundoi fushata, përfundoi rundi i parë i zgjedhjeve.

Ata që ishin më të zotët, më bindës dhe më dorëlirë, u bënë kryetarë komunash e asamblistë.

Rezultatet e zgjedhjeve të 17 tetorit, sado që ia nxinë jetën dikujt, nxorën edhe fituesit fatlumë për kryetarë të disa komunave, e 21 sosh shkojnë në balotazh.

Për një muaj rresht u kënaqëm duke parë e dëgjuar gjithçka. Lloj-lloj premtimesh, por edhe budallallëku.

Fushata i kishte edhe margaritarët e vet.

Një kandidat për kryetar komune tha se do të qeverisë me “xhirollogaridhënie”. S’ka pas faj. Krejt fokusi te xhirollogaria.

Një tjetër premtoi se në qytetin e tij do të organizojë spektaklin “Miss Gjyshja”. Por, kjo mbeti veç një premtim i “mister” kandidatit.

Por, përfundimisht, debateve televizive u dha sharm kandidati i Nismës në Podujevë, i cili nuk mungoi në asnjë debat zgjedhor dhe tërë kohën ironizoi me kundërkandidatët e tij, e qe besa edhe me moderatorët. Epike ishte përgjigjja e tij kur u pyet se çfarë veture vozitë. Modest, siç ishte gjatë gjithë debateve, tha se vozitë një veturë modeste “Ferrari”.

Kishte edhe margaritarë të tjerë të fushatës. Por, përfundoi kapitulli i rundit të parë zgjedhor.

Jemi në rundin e dytë.

Edhe tri javë do të shijojmë “kënaqësinë” e fushatës dhe ballafaqimeve në debate, të cilat pritet të jenë shumë të zjarrta, të kandidatëve që prekën balotazhin.

Ndërsa, atyre që iu shua ëndrra të zgjidhen kryetar, apo asamblist, do t’iu mungojnë disa mijëra euro nën jastëk, ose në konto bankare.

Nejse.

Thonë: paraja shkon e vjen.

Kënaqësia e të qënit kandidat për kryetar komune apo asamblist, nuk ka çmim dhe nuk ofrohet çdo ditë.

Krejt ju që keni hangar dreka, keni pi kafe dhe keni pranuar buzëqeshje e përqafime, por nuk ua keni dhënë votën, mund t’u zë mallkimi i kandidatit:

Haram kafetë, buzëqeshjet dhe përqafimet!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here