VAR-i poli(e)tik: S’e di Edi, apo e di Edi që Kosovën po e dëmton për një grusht turistësh serbë!

0

 

Nga Nazmi Elezi

Para se të pinte verën serbe, si mysafir i mikut të tij në Beograd – presidentit serb Aleksandar Vuçiq – kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u prit me heqjen e përdhosjen e flamujve shqiptarë nëpër rrugët e kryeqytetit serb.

Kjo sa për t’ia bërë me dije Edit se sa janë miqësorë serbët e Vuçiqit ndaj shqiptarëve dhe sa i respektojnë simbolet e shtetit të një kryeministrit që po vinte në Beograd për të shtyrë përpara projektin e nisur si Mini Shengen, e që evoluoi në “Open Ballkan”.

E, projekti, që me aq shumë zell po e servojnë tandemi Rama-Vuçiq, ka ngjashmëri me Ballkaninë e Adem Demaçit – idenë e tij të fillim viteve ’90-ta. Mirëpo, çdo ide e projekt paqësor do të binte në ujë sepse Slobodan Milosheviqi kishte projektuar luftërat e përgjakshme në ish republikat jugosllave, në emër të kinse ruajtjes së Jugosllavisë së atëhershme, por që e synonte “Serbinë e Madhe”.

Iniciativës së re (të vitit 2019) i ishte bashkuar edhe presidenti malazez, Milo Gjukanoviq, por mbase duke i vërejtur djallëzitë serbe prapa këtij projekti, ndërkohë ai u tërhoq. Ndërsa, takimi i fundit në Beograd u zhvillua mes dy nunëve të “Open Ballkanit” dhe një (gjysmë)përfaqësuesi të Maqedonisë së Veriut.

Pavarësisht se miqtë në Beograd e pritën me flamurin shqiptar të përdhosur, Edi Ramën kjo nuk e pengoi të elaboronte të mirat që do t’ia sjell rajonit ky projekt.

Duke e mbrojtur idenë e “Open Ballkanit”, Rama të mërkurën në Beograd tha se sivjet është rritur për 60 për qind fluksi i turistëve serbë në Shqipëri. Ai sërish shprehu dëshpërimin dhe e bëri fajtore Kosovën që nuk po i bashkohet këtij projekti (djallëzor) të tij dhe të Vuçiqit.

Rama tha se kjo nismë nuk ndikon në dialogun Kosovë-Serbi. Atij nuk po i ngutet që Serbia ta njohë Kosovën dhe të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë. Tha se ajo do të ndodhë në fund të dialogut, të cilit nuk po i shihet fundi.

E, ndërsa po ndodhë një kinse dialog, Serbia po vazhdon të provokojë konflikt në Kosovë, duke ndërmarrë veprime destabilizuese në veri të Kosovës dhe duke kërcënuar me aeroplanë ushtarakë e tanke në vijën kufitare me Kosovën.

Edi harroi, apo nuk deshi t’ia dijë se një javë më parë autoritetet e mikut të tij, Vuçiq, ua mbyllën kufirin boksierëve kosovarë dhe nuk i lejuan të shkojnë në Beograd për të marrë pjesë në kampionatin botëror. Sjelljen e autoriteteve serbe, që ua mbyllën kufirin boksierëve nga Kosova, më së miri e komentoi ambasadori gjerman në Kosovë duke thënë se “ky është shembull i Ballkanit të mbyllur dhe jo të hapur”.

Kryeministri shqiptar, muajin që shkoi, duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, tha se kjo organizatë nuk është e plotë pa Kosovën anëtare, por nuk e pati problem ta vazhdojë muhabetin e “Open Ballkanit” me Vuçiqin, edhe pse shefi i diplomacisë serbe pak ditë më parë konfirmoi fushatën anti-Kosovë duke thënë se 12 shtete pritet ta tërheqin njohjen e Kosovës.

Ramës nuk i bëjnë përshtypje as deklaratat e ministrave të Vuçiqit, madje as kur ministri serb i Mbrojtjes kërcënon se Serbia mund ta marrë Kosovën me forcë kur të dojë.

Kryeministri shqiptar bëhet i shurdhër edhe ndaj paralajmërimeve që vijnë gjithandej nga rreziku i një konflikt të ri në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, sipas skenarëve të Beogradit, tashmë hapur është duke punuar që ta ndajë Republikën Serbe nga federata e Bosnjës e Hercegovinës. Ndërsa, bashkësia ndërkombëtare është vënë në alarm për mundësinë e shpërthimit të një konflikti të përgjakshëm.

 

Rrethanat dhe zhvillimet politike në terren, në kohën e projektit “Open Ballkan” të Vuçiqit e Ramës, koincidojnë shumë me periudhën e shpërfaqjes së idesë së Demaçit për Ballkaninë, si një opsion për shmangien e konfliktit (fatkeqësisht luftërat e përgjakshme ndodhën).

Mirëpo, të gjitha këto zhvillime e kërcënime për luftë të re në Ballkan, nuk e kanë lëkundur shumë Ramën ta vazhdojë ëndrrën për Ballkanin e Hapur.

Ai vazhdon të rrijë ulur në tavolinë me Vuçiqin, i cili duke u maskuar prapa kësaj ideje po synon të shtyjë përpara projektin e bashkimit të “tokave serbe” edhe atje ku nuk ka serbë.

Mirë de. Rama nuk është si Vuçiqi që projekton aneksim tokash dhe ndarje!

Rama është për një Ballkan pa kufij, ku secili shqiptar mund të ‘shijojë’ fyerjen në Serbi; ku secili serb mund ta shijojë rrezet e diellit nëpër plazhet e Shqipërisë dhe ujin e njelmët të Jonit e të Adriatikut, por mundësisht duke bërë rrugë më të shkurtër nëpër Autostradën “Ibrahim Rugova” dhe “Udhën e Kombit” (natyrisht, në qoftë se me kërkesën e Vuçiqit në ndonjërën nga pikat e marrëveshjes së “Open Ballkanit” nuk është paraparë ndërrimi i emrave të këtyre rrugëve).

Mbase nuk do të ishte problem as kjo për një kryeministër liberal, siç është Edi.

Edi, e as shqiptarët, nuk bien në nivelet primitive të nacionalizimit serb.

Për dallim nga Beogradi, ku nuk durohen flamujt shqiptarë, as kur aty është për vizitë kryeministri, në qytetet përgjatë bregdetit shqiptar mund të dëgjohet muzikë serbe, me volum të lartë.

Nejse. Nuk ka rëndësi as kjo!

Rëndësi ka që Rama e Vuçiqi të sillen si baballarë të kombeve të tyre, pa çka që serbët e Vuçiqit do ta turpërojnë Ramën duke ia përdhosur flamurin në Beograd, derisa ai pinte verën serbe, kurse ministri i presidentit serb, përveç kërcënimeve për pushtimin e Kosovës, do të vazhdojë t’i fyejë bashkëkombësit e Edit duke i quajtur “shiptari”.

Të gjitha këto për kryeministrin shqiptar janë të parëndësishme.

Rëndësi ka një grusht turistësh serbë në bregdetin shqiptar.

Megjithatë, Kosova nuk e ka luksin t’i bashkëngjitet aventurave donkishotiane të Edit, në një kohë kur Serbia hapur po shpërfaq pretendimet për një “Botë Serbe” në Ballkan.

Sjellja e Edit po i ngjan thënies: “Fshati po digjet, plaka po krihet”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here